‘Do të fitosh miliona’/ Mori kredi për t’i dhënë me fajde, ja si e pësoi tiransja

Tirana

‘Do të fitosh miliona’/ Mori kredi për t’i dhënë me fajde, ja si e pësoi tiransja

Më: 27 nëntor 2016 Në ora: 08:08
Tiranë

Plot 15 vjet pas vitit 1997, një 55-vjeçare në Tiranë nuk i ka bërë ballë tundimit për të dhënë para me fajde. 

Ajo është joshur nga premtimi i një personi të njohur rastësisht, se do t’i jepte përqindje të kënaqshme.

Shtetasja me iniciale F.B. i ka dorëzuar atij në kohë të ndryshme shuma të mëdha, plot 72 mijë euro në total, një pjesë të të cilave i kishte marrë me kredi. Historia e nisur në vitin 2012 ka marrë kthesë një vit më vonë.

Pasi kishte marrë disa shuma të vogla si përqindje, F.B. nuk mori më të tilla dhe as paratë e saj mbrapsht. Për këtë shkak, ajo kallëzoi personin të cilit i dha paratë, 41-vjeçarin Andi Sinojmeri.

Në 17 nëntor 2016, Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin ndaj Sinojmerit për akuzën e “mashtrimit” me pasoja të rënda. Ai u shpall i fajshëm dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie. I pandehuri Sinojmeri është gjykuar në gjendje të lirë. Vendimi i Gjykatës nuk e çon atë në qeli, për shkak se nuk është një vendim i formës së prerë.

HISTORIA

Në kallëzimin e saj, shtetasja F.B. ka rrëfyer se përmes një të njohuri të familjes është njohur me të pandehurin Andi Sinojmeri. Në takimet me të ajo ka mësuar se ai qarkullonte sasi të mëdha parash, duke ofruar përqindje për mbledhjen e tyre nga shtetas të ndryshëm.

Faksimile e vendimit të Gjykatës

E interesuar për këtë fakt, e dëmtuara F.B., me qëllim për të përfituar, i ka dhënë të pandehurit një shumë të konsiderueshme parash. Sipas Prokurorisë, fillimisht ajo i ka dhënë të pandehurit shumën prej 50.000 eurosh.

Për këtë shumë, në periudha të ndryshme kohore, i pandehuri i ka dhënë asaj shumën prej 5250 eurosh si përqindje. Më pas i pandehuri i ka kërkuar përsëri shuma në euro kallëzueses. Referuar vendimit, për të përmbushur kërkesën e të pandehurit, kallëzuesja F.B. ka aplikuar për kredi në një bankë të nivelit të dytë për një shumë prej 15 mijë eurosh.

Pas miratimit të kësaj kredie, ajo ka tërhequr këto para nga banka. Pasi i ka shtuar edhe një shumë prej 7 mijë eurosh, kursime të saj, e dëmtuara ia ka dhënë të pandehurit Andi Sinojmeri.

MASHTRIMI

Sipas marrëveshjes për shumat e marra nga shtetasja F.B., shprehet Gjykata, i pandehuri i ka dhënë asaj si përqindje interesi 1 mijë euro në harkun kohor mars 2012-prill 2013. Pas kësaj periudhe, i pandehuri ka ndërprerë dhënien e interesave për shumat e marra. Njëkohësisht, me gjithë kërkimet e përsëritura nga ana e kallëzueses për shumën 72 mijë euro të dhëna prej saj, ai nuk e ka kthyer shumën.

Duke u ndjerë e dëmtuar materialisht në shumen e mësipërme, si dhe e mashtruar nga veprimet e të pandehurit, e dëmtuara F.B. është paraqitur në organet policore ku ka depozituar kallëzimin penal ndaj të pandehurit. Mbi konstatimin e faktit penal të mësipërm, si dhe kryerjen e veprimeve hetimore dhe proceduriale, organi i akuzës ka filluar çështjen penale në ngarkim të të pandehurit Andi Sinojmeri, duke e akuzuar atë për kryerjen e veprës penale siç përshkruhet në pjesën hyrëse të këtij vendimi.

MBROJTJA

Gjatë gjykimit, përmes mbrojtësit të tij ligjor, i pandehuri ka mohuar akuzën dhe ka kërkuar deklarim të pafajshëm. Mbrojtësi ka pretenduar se rasti në gjykim duhet të trajtohet si një konflikt civil, pasi në veprimet e të pandehurit nuk ekzistojnë elemente përbërës të veprës penale të mashtrimit, duke munguar në këtë mënyrë qëllimi kriminal i të pandehurit.

Sipas mbrojtjes, Sinojmeri dhe kallëzuesja kanë pasur shkëmbime financiare me njëri-tjetrin, por jo në shumën e pretenduar nga e dëmtuara. Një tjetër argument i ngritur nga mbrojtja në gjykim ka qenë ai mbi një bisedë të regjistruar në audio mes F.B. dhe Sinojmerit, e paraqitur si provë nga Prokuroria në gjykim.

Sipas Prokurorisë, transkripti i kësaj bisede konfirmonte se i pandehuri i ka marrë shuma në euro kallëzueses, duke i pohuar se ajo i kishte të sigurta ato. Mbrojtja, nga ana e saj, ka pretenduar se kjo bisedë është konsumuar mes tyre në vitin 2008, gati 5 vjet nga periudha kur e dëmtuara pretendon të jetë mashtruar nga ana e Sinojmerit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat