Sot votohet buxheti dhe masterplani i Tiranës

Tirana

Sot votohet buxheti dhe masterplani i Tiranës

Më: 29 dhjetor 2016 Në ora: 11:32
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj

Sot në orën 10 të paradites është njoftuar, mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Mes pikave të shumta që do të diskutohen, ato më kryesoret janë buxheti i vitit 2017 dhe për në fund është lënë edhe votimi i masterplanit për kryeqytetin i cili parashikon zhvillimin e tij deri në vitin 2030.

Kjo e fundit duket se do të jetë edhe pika më nxehtë, sepse jo vetëm nga këshilltarët e opozitës por edhe nga ekspertë të njohur dhe shoqëria civile janë hedhur dyshime, se bëhet fjalë për një plan-Rama-Veliaj për betonizimin e mëtejshëm të qendrës së Tiranës dhe zonave të tjera, ende të pa uzurpuara nga ndërtimet shumëkatëshe.

Fshehtazi nga mediat dhe grupet e interesit, Erjon Veliaj dhe një grup arkitektësh, shumica e të cilëve të panjohur, shëtiti nëpër salla të mbyllura e me publik të përzgjedhur, kryesisht militantë socialistë e punonjës të bashkisë, duke shpalosur hartën e Tiranës së Re, ose siç quhet ndryshe “Projekti TR030”.

Mbrëmë në emisionin e Ilva Tares, Veliaj kur u pyet se a do të ketë në të ardhmen sipas këtij plani ndërtime dyzetkatëshe në zonat afër qendrës së Tiranës, pavarësisht se u përdrodh, nuk e mohoj këtë synim, në të kundërt të asaj që kishte premtuar në fushatën për kryetar bashkie, kur me pompozitet u thoshte qytetarëve, “ndërtime zero nëse më zgjidhni mua”.

Tashmë dihet që këshilltarët e opozitës do ta kundërshtojnë fortë këtë plan për të cilin ka dyshime të forta, se i shërben klientëve të kryeministrit, por miratimi ose jo i tij në këto ditë të fundit të vitit, varet krejtësisht nga votat e LSI-së. Një nga këshilltarët e kësaj force i pyetur nga Syri.net përpara nisjes së mbledhjes, se a ka ndonjë vendim të LSI-së për drejtimin e votës, tha se nuk deri në këto moment nuk pritet ndonjë surprizë siç ndodhi dje me buxhetin e bashkisë së Durrësit.

Edhe mbrëmë Erion Veliaj, nuk i kurseu elozhet dhe servilizmin kur fliste për Ilir Metën dhe përfaqësuesit e LSI-së, në bashkinë që drejton.

Me sa duket kreu i bashkisë së Tiranës ndryshe nga Dako i Durrësit i ka mbyllur pazaret me Metën, për ndarjen e zonave të influencës në Tiranën e 14 viteve të ardhshme.

Gjithsesi mbledhja pritet të jetë e gjatë, me shumë tension dhe nuk përjashtohet mundësia që gjatë rrugës, këshilltarët e LSI-së siç edhe ka ndodhur herë të tjera, të marrin një urdhër të dytë që do të anulojë të parin, veçanërisht për çështjen e buxhetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat