Habit zëvendësi i Veliajt: Zhvillimi i Tiranës të jetë si zhvillimi i një majmuni, nga pema në pemë

Tirana

Habit zëvendësi i Veliajt: Zhvillimi i Tiranës të jetë si zhvillimi i një majmuni, nga pema në pemë

Më: 30 dhjetor 2016 Në ora: 13:46
Zëvendësi i Veliajt, Arbi Mazniku

Bashkia e Tiranës ka organizuar disa tryeza teknike në lidhje me planin rregullues të qytetit të quajtur ‘Tir030’. Në faqen zyrtare të projektit, ekspozohen edhe disa procesverbale nga mbledhjet teknike, ku ekspertë të Bashkisë, të studios projektuese italiane dhe ekspertë të pavarur diskutojnë mbi problematikën e qytetit.

Procesverbalevet shfaqen si një surprizë e vërtetë. Pasi nis leximin, e ke të vështirë të kuptosh nëse po lexon një debat teknikësh, apo një skenar komedie.

Për shembull, në tryezën për ekonominë përpunuese të qytetit, nënkryetari i Bashkisë Arbi Mazniku, është shprehur se zhvillimi i Tiranës duhet të bazohet në diçka të quajtur si ‘teoria e majmunëve’.

Në procesverbal shkruhet tekstualisht:

Mazniku hapi diskutimin duke paraqitur konceptin e Hausmann (profesor në Harward) për zhvillimin. Ai përmendi se zhvillimi është si një majmun i cili lëviz dhe hidhet nëpër pemë që janë pranë tij në mënyrë që të arrijë në pemë të tjera më të larta sipas parashikimit të tij; Mazniku sugjeron që zhvillimi i Tiranës në vetvete duhet të jetë si ajo e një majmuni.”

Mazniku duket një mbresëlënës profesionist. Por profesionistët e Bashkisë nuk kanë munguar edhe në të tjera tryeza.

Përshembull, në tryezën për infrastrukturën, debatin e udhëheq zonja Francesca Bianchi, nëpunëse e studios private italiane ‘Boeri’, e cila është studioja që po realizon projektin e Bashkisë.

Zonja Bianchi e hap mbledhjen duke lypur konsensus anglishtfolës:

Francesca Bianchi: Mendoj të biem dakord që të komunikojmë ne gjuhën angleze në vazhdim të diskutimit tonë.

Arlind Okaj: Gjithsesi mund të ndihmojmë njëritjetrin në qoftë se dikush ka veshtirësi në të shprehur në anglisht.

Pasi gjejnë konsensusin për gjuhën, në tryezë ndërhyn një tjetër eksperte italiane e quajtur Maria Pastore. Ajo kërkon të diskutohet për ujin dhe energjinë, por siç konstatohet, përfaqësuesit përkatës për këto çështje kishin bërë mungesa:

Maria Pastore:  Mendoj që gjëja e parë që duhet të diskutojmë është uji dhe energjia, si bashkëveprojnë ato me njëri-tjetrin, sepse ne e dime që ne Shqipëri pjesa më e madhe e energjisë gjenerohet nga uji dhe hidrocentralet, apo jo?

Arlind Okaj: Për sa i përket këtij sektor ai mbulohet nga pushteti qëndror dhe për më saktë nga Ministria e Energjitikës, por fatkeqsisht sot nuk kemi përfaqsues nga kjo Ministri.

Erindi Bejko: Mendoj se tryezës i mungon drejtori i përgjithshëm i UKT sepse është ai që mund të na jepte informacjone më të hollësishme për problemin në fjalë. Ne kemi përgjegjësi vetëm për pjesën e projekteve dhe ne nuk i kemi kapacitetet dhe kopetencat për rrjetin e ujrave nëntokësor.

Pra siç tregon procesverbali, në tryezën për ujin dhe energjinë, mungonin personat kryesorë, ndërkohë që diskutimi ka vijuar nga zyrtarët e tjerë të pranishëm, të cilët kanë diskutuar me kompetencë për punë që nuk i dinin.

Por qershia mbi tortë vjen në një tjetër mbledhje teknicienësh. Bëhet fjalë për tryezën mbi lëvizshmërinë e qytetit.

Arkitekti Alban Eftimi, propozon në këtë mbledhje që plani i ri i Bashkisë duhet t’i japë përparësi gjelbërimit dhe transportit publik. Në fund ai kërkon që të ulet dhe koifiçenti i ndërtimit në sheshe për të lënë më shumë hapësira gjelbëruese.

Por kush është zoti Eftimi? Është fiks arkitekti dhe pronari i studios ‘Atelier 4’, studioja e tij është e vetmja në Evropë që ka ngulur një kullë 23 katëshe në projektin e ri të stadiumit kombëtar.

Por ndërsa firmos projekte me kulla 23 katëshe në stadium, zoti Eftimi në tryezën teknike flet për uljen e koifiçentit të ndërtimeve.

Duket se e ardhmja e qytetit është në duar të sigurta. Tepër të sigurta.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat