Veliaj: Me planin e ri urbanistik, e ardhmja për Laprakën dhe Tiranën është më e mirë

Tirana

Veliaj: Me planin e ri urbanistik, e ardhmja për Laprakën dhe Tiranën është më e mirë

Më: 2 janar 2017 Në ora: 13:08
Kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj

Një tjetër hapësirë kushtuar qytetarëve më të vegjël, fëmijëve, i është shtuar Tiranës. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës, në Laprakë u ndërtua këndi më i ri i lojërave në rrugën “Lord Bajron”, i konceptuar edhe si një hapësirë rekreative për të gjithë qytetarët e zonës. Kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj, u shpreh se ndërtimi i këndeve të lojërave për fëmijët është një tjetër premtim i mbajtur, pas atij për ndërtimin e çedheve, kopshteve dhe të shkollave. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se me Planin e Përgjithshëm Vendor, i cili projekton një Tiranë policentrike, Lapraka do të jetë një nga qendrat e Tiranës.

“Bashkë me këndin e lojërave, mbyllëm edhe planin tonë urbanistik i cili parashikon që Lapraka të jetë një qendër urbane e Tiranës policentrike, pra të jetë një ndër qendrat e Tiranës. Mund të bëhet e tillë duke filluar te blloku numër 1, ku ka filluar gjithë urbanizimi. Mund të bëhet e tillë duke krijuar kënde lojërash nga ish-baltovinat dhe parkingjet dhe gropat që s’kishin fund në këtë territor. Bëhet e tillë duke gjetur hapësira publike që mund t’i pyllëzojmë”, tha Veliaj. Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që bëjnë kritika ndaj investimeve të Bashkisë që të fokusohen tek puna, në mënyrë që Tirana të ecë edhe më shpejt.

“U kërkoj edhe atyre që janë kritikë, boll me baltë, ejani të punojmë! Nëse gjithë këtë energji që hedhim baltë e kthejmë në punë, e kthejmë në pyllëzim, në kënde lojrash, në investime për Bashkinë, atëherë Tirana mund të ecë akoma edhe më shpejt se ç’ka ecur këtë vit të parë”, tha ai. Kreu i Bashkisë garantoi se me planin e Përgjithshëm Vendor, e ardhmja e zonës së Laprakës dhe e gjithë qytetit të Tiranës do të jetë edhe më e mirë.

Administratori i Njësisë Administrative Nr. 11, Gentian Arapi, falenderoi Bashkinë e Tiranës për vëmendjen që i ka kushtuar kësaj zone, e cila kishte një infrastrukturë që linte për të dëshiruar.

Ky është këndi i 7-të i lojërave që përfundon, nga 12-të që kanë filluar punimet. Kjo hapësirë është një kombinim i këndit të lojërave për fëmijë dhe i fushës sportive me përmasa olimpike, ku grupe studentore apo ekipe të ndryshme të Bashkisë së Tiranës mund të organizojnë edhe kampionate. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat