Nis ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit në zonën Allias-Bregu i Lumit

Tirana

Nis ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit në zonën Allias-Bregu i Lumit

Më: 10 janar 2017 Në ora: 13:22
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Falë investimit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, banorët e zonës së Allias-Bregu i Lumit do të kenë mundësi që të furnizohen normalisht me ujë të pijshëm, pasi zona në fjalë nuk ka pasur mbulim apo linjë furnizimi.

Për të inspektuar punimet, ishte i pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla.

Kryetari Veliaj siguroi se Bashkia e Tiranës do të vijojë me investimet për përmirësimin e infrastrukturës, si në qendër të qytetit, ashtu edhe në periferi. Nisur nga temperaturat e ulëta që po kalon kryeqyteti këto ditë, ai garantoi qytetarët që të gjithë matësit e ujit të dëmtuar nga ngricat do të zëvendësohen nga vetë UKT, pa asnjë kosto për qytetarët.

[unnamed] Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla u shpreh se në të gjithë kryeqytetin janë në gatishmëri 20 grupe pune për të zgjidhur çdo problematikë.

Në zonën e Allias- Bregu i Lumit, Bashkia e Tiranës po ndërmerr një sërë investimesh për ngritjen e infrastrukturave sociale për banorët. Kështu, do të ngrihet një shkollë, një qendër sociale dhe një Qendër Shëndetësore. Për urbanizimin e kësaj zone, por edhe funksionimin e objekteve publike, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë do të ndërtojë një rrjet ujësjellësi, me një gjatësi prej 200 metrash linearë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat