Misioni i FMN-së, këtë javë në Tiranë

Tirana

Misioni i FMN-së, këtë javë në Tiranë

Më: 16 janar 2017 Në ora: 10:45
Arben Ahmetaj dhe Anita Tuladhar

Një mision i Fondit Monetar Ndëkombëtar i kryesuar nga Anita Tuladhar, mbërrin nesër në Tiranë. Sipas burimeve jo zyrtare nga Ministria e Financave, misioni pas një analize të sistemit financiar në vend pritet të firmosë marrëveshjen përmbyllëse për t’i propozuar më pas Bordit të Drejtorëve, lëvrimin e këstit të fundit të kredisë, i cili do të përmbyllë fondin prej 330 milion euro nga FMN.

Pjesë e bisedimeve me qeverinë shqiptare pritet të jetë edhe amnistia fiskale për faljen e disa detyrimeve, e propozuar nga ministria e Financave.
Ky është takimi i fundit i misionit të FMN-së në kuadër të marrëveshjes trevjeçare me qeverinë shqiptare, ku FMN kishte një rol mbikëqyrës. Zyrtarë të lartë të qeverisë janë shprehur se do të vijohet bashkëpunimi me FMN-në, por roli i saj do të jetë këshillues. Kjo pritet të zyrtarizohet pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit.

Në takimin e fundit që misioni zhvilloi me autoritetet shqiptare, ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se programi ynë me FMN ka arritur objektiva të rëndësishme për të përmirësuar dukshëm ekuilibrat makroekonomike si dhe ka siguruar premisat për një rritje të qëndrueshme dhe tërheqje investimesh të huaja, duke rritur besimin në ekonominë shqiptare.

“Gjatë tre viteve të fundit programi me FMN-në ka qenë një referencë e rëndësishme për të gjithë programin qeveritar dhe sidomos për reformat në fushën e financave publike, të cilat ishin tejet të rëndësishme si për aspiratat integruese të vendit, ashtu edhe për modelin tonë të rritjes ekonomike. Në bazë të këtyre reformave krijimi i detyrimeve të reja të prapambetura është vënë nën kontroll. Në bashkëpunim, ne kemi eliminuar dhe pengesa të tjera të rëndësishme për zhvillimin e vendit, dhe sot jemi duke zbatuar politika që po japin impaktin e tyre në shërbim të qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat