Erion Veliaj 10 milionë Dollarë për prokurorin e Tiranës?

Tirana

Erion Veliaj 10 milionë Dollarë për prokurorin e Tiranës?

Më: 19 janar 2017 Në ora: 08:48
Erion Veliaj

Media në datën 24 dhjetor të vitit 2016 publikoi lajmin e një dreke të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, me prokurorin e kryeqytetit Petrit Fusha. Një lajm që u shpërnda në shumë media dhe Veliaj e justifikoi me miqësinë e tij me prokurorin e Tiranës.

Një drekë mes dy zyrtarësh do të ishte krejt normale dhe nuk do të kishte asnjë lajm apo reagim në rast se Petrit Fusha nuk do të kishte nën hetim kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj për katër apo më shumë çështje, të cilat flenë në zyrën e Fushës dhe vartësve të tij.

Sot po sjellim një fakt tjetër që thellon më tej skandalin e Veliajt me kryeprokurorin e Tiranës.

10 milionë dollarë për firmën “Fusha”

Firma “Fusha” është subjekti që ka “fituar” ndërtimin e sheshit “Skënderbej” në vlerën 8.5  milionë dollarë në datën 27 dhjetor në vitin 2016. Një tender tjetër që është fituar nga firma “Fusha” rezulton në 17 tetor të vitit të kaluar dhe kap vlerën 1.5 milionë dollarë. Pra, të dy tenderat e fituar nga firma “Fusha” llogariten rreth 10 milionë dollarë.

Tenderi i fundit për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej” është çelur në datën 5 dhjetor 2016 dhe është mbyllur, pra shpallur fituesi në datën 27 dhjetor 2016, tre ditë  pas publikimit të fotove nga Citynews.

Shpallja e këtij tenderi është bërë publike në buletinin e fundit të Prokurimeve Publike.

Firma “Fusha” rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Shkëlqim Fusha, i cili është njeriu i afërt i Prokurorit të Tiranës Petrit Fusha.

Tenderi është vulosur pikërisht në datën 27 dhjetor të vitit 2016, tre ditë pas takimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj me prokurorin e Tiranës Petrit Fusha.

Sipas investigimit të mësipërm, fotove të publikuara, rezulton se prokurori i Tiranës Petrit Fusha, është takuar me Erion Veliajn tre ditë përpara shpalljes së fituesit të tenderit në një lokal në kryeqytet ku kanë drekuar gjatë së bashku. Fituesi i tenderit për Sheshin “Skënderbej” është shpallur në datën 27 dhjetor, fituesi është firma “Fusha” dhe pronari i kësaj firme është Shkëlqim Fusha.

Veliaj pretendon se ka drekuar me një ‘mik’ siç është kryeprokurori i Tiranës, por ky ‘mik’ rezulton se është personi që po heton të paktën katër raste të kryebashkiakut dhe ky ‘mik’ rezulton të jetë i afert i pronarit të firmës që figuron se ka fituar tenderin.

Dreka Veliaj-Fusha?

Dreka mund të ketë qenë për Ardit Gjoklaj, për hetimet e Veliajt, por dreka mund të ketë qenë edhe për 10 milionët dollarët e fituara nga firma “Fusha”.

Veliaj e quan prokurorin e Tiranës që ka në dorë dosjet e tij hetimore mik dhe askush nuk mund të thotë se Veliaj nuk i shpërblen miqtë. Dreka e Erion Veliajt me Petrit Fushën është për vrasjen e Ardit Gjoklajt dhe hetimet e prokurorisë apo drekë me një mik për 10 milionë dollarët e tenderit të shpallur pak ditë më vonë? Mikun e kemi të konfirmuar nga Veliaj publikisht, 10 milionë dollarët dhe dosjet hetimore janë pikërisht në duart e “mikut” që është Petrit Fusha kryeprokurori i Tiranës, shkruan citynews.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat