Beqaj dhe Tahiri inspektojnë QSH nr. 6 në zonën e Kombinatit, Tiranë

Tirana

Beqaj dhe Tahiri inspektojnë QSH nr. 6 në zonën e Kombinatit, Tiranë

Më: 12 shkurt 2017 Në ora: 10:46
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, së bashku me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ishin në Qendrën Shëndetësore

Shërbimi i urgjencës mjekësore, pas riorganizimit, është tashmë prezent në territor në disa pika të qarkut të Tiranës. 

Autoambulanca, stafi mjekësor, i përbërë nga dhënësi i ndihmës së parë (drejtuesi i automjetit), si dhe një infermier, janë të stacionuar në disa zona të qarkut të Tiranës, ashtu sikundër në të gjitha qarqet e vendit.

 Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, së bashku me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ishin në Qendrën Shëndetësore numër 6 në kryeqytet, në zonën e Kombinatit, ku panë nga afër mënyrën e re të ofrimit të këtij shërbimi. Pranë kësaj Qendreje Shëndetësore është e vendosur një autoambulancë, e pajisur me staf mjekësor, e cila është e gatshme për t’ju përgjigjur thirrjeve dhe nevojave të qytetarëve në çdo moment.

 “Qytetarët të jenë të informuar që në rast nevoje, autoambulanca nuk është më e vendosur në një pikë të Tiranës siç ishte deri javën e kaluar, por tashmë, rri këtu, është gjithmonë e stacionuar këtu. Nevojat që do të kenë, koha e vajtjes së autoambulancës deri tek vendi i thirrjes, tek pacienti apo qytetari i sëmurë do të jetë shumë më e shkurtër”, theksoi zoti Beqaj.

 Kreu i Shëndetësisë u shpreh se, tashmë, me riorganizimin e vendosjes në territor të shërbimit të urgjencës mjekësore, autoambulancat janë të stacionuara në disa zona në kryeqytet. “Ne besojmë se kalimi nga një pikë për Tiranën në disa pika, - një është në Kombinat, një është tek “21 Dhjetori”, një është në QSUT, një është tek spitali i Traumës, një do të vazhdojë të rrijë aty ku është edhe sot, tek stadiumi “Dinamo”, apo edhe në pika të tjera, - do të bëjnë që koha e vajtjes të jetë më e shkurtër, që ne të përpiqemi që brenda qyteteve të arrijmë në një standard të pranueshëm rreth 12 minuta”.

Beqaj, bëri të ditur, gjithashtu, se “brenda Prillit do të kemi dhe një rinovim të flotës së autoambulancave, por do të vazhdojmë të përqendrohemi shumë edhe në edukimin e vazhdueshëm të personelit në autoambulancë, që duhet të jenë ata që japin ndihmën e parë”.

 Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, falënderoi Ministrin Beqaj për këtë shërbim të ri, duke theksuar se, tashmë, banorët e zonës së Kombinatit do të mund të marrin një shërbim në një kohë shumë më të shpejtë. “Dua të falënderoj edhe Ministrin Beqaj që bashkë me ju, duke filluar nga sot, kemi një shërbim emergjence 24-orë në Kombinat, që ekzaktësisht nuk do jetë vetëm për Kombinatin po i vjen shumë më shpejtë në ndihmë edhe banorëve të Tiranës së Re tashmë, pra Prushit, Vaqarrit, deri në Ndroq. Kjo është shumë e rëndësishme, në qoftë se deri dje të shkonte qytetari tek urgjenca dhe kjo ishte diku në qendër të Tiranës, sot shërbimi i emergjencës është këtu dhe i shërben qytetarëve të Kombinatit në kohë rekord”, u shpreh Ministri Tahiri.

 Nga ana e tij, drejtori i Qendrës Shëndetësore numër 6, mjeku Romeo Bani, deklaroi se “është një shërbim i munguar prej vitesh, është një shërbim që do t’ju vijë në ndihmë 24-orë, të rinjve, të moshuarve, të sëmurëve akutë dhe kronikë, për të gjitha rastet emergjente, dhe është një shërbim, kam përshtypjen, me shkurtimin e kohës fizike përkthehet në ofrimin e shërbimit pranë komunitetit dhe jo komunitetin tek shërbimi”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat