Miratohen kriteret për kredi të butë, Veliaj: Përfitojnë 1 mijë familje

Tirana

Miratohen kriteret për kredi të butë, Veliaj: Përfitojnë 1 mijë familje

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 07:33
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Mbështetja për shtresat në nevojë ishte fokusi i mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Për vitin 2017, Bashkia e Tiranës do të japë 1.000 kredi të buta për familjet e reja apo në vështirësi ekonomike, për të mundësuar lehtësimin e strehimit të tyre.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot kriteret e reja të programit social të strehimit për “Subvencionimin e interesave të kredisë”. Votave pro të këshilltarëve të PS-së iu bashkuan edhe këshilltarët e LSI-së dhe të PDIU-së, të cilët e vlerësuan si një nismë tepër pozitive. 

Përfitues potencialë të programit do të jenë individët/familje me në përbërje çifte të reja, me synim përmirësimin e kushteve të cilësisë së jetesës së tyre. Programi do të ketë një kohëzgjatje një vjeçare dhe numri i përgjithshëm i përfituesve, të cilët do të mbështeten financiarisht, do jetë rreth 1.000 familje. Financimi i programit është parashikuar tashmë në buxhetin e vitit 2017 në shumën 95 milionë lekë dhe masa e subvencionit të interesave të kredisë, për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga ky program, do të jetë e barabartë me diferencën që rezulton midis interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes së nënshkruar me bankën, me interesin prej 3% që paguan familja mbi principalin e kredisë. 

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se ky program do të ketë një impakt pozitiv edhe në ekonominë e Tiranës. “Sot kemi mbërritur në një produkt konkret që ka të bëjë me kreditë e buta. Është zhbllokim i një procesi që prej disa vitesh ishte pezulluar prej falimentit të bashkisë, prej faktit se shumë prej ish deputetëve dhe ish zëvendësministrave, ish zyrtarëve, abuzonin me kreditë e buta. Dua shumë që ky projekt të funksionojë sepse nëse funksionon, na mundëson që të vazhdojmë edhe vitin tjetër, edhe në të ardhmen”, tha Veliaj. 

Gjithashtu, sot u miratua dhe vendimi për shpërndarjen e 1048 bursave për nxënësit në institucionet arsimore publike, si dhe për studentët në institucionet e arsimit të lartë publik për vitin shkollor 2016-2017”. Edhe këtë vit, Bashkia pritet që t’i kushtojë një vëmendje të veçantë nxënësve dhe studentëve me probleme sociale apo ekonomike duke i mbështetur në studimet e tyre. Më konkretisht, Këshilli miratoi listën me 1001 nxënësit në institucionet arsimore publike, që përfitojnë bursë shteti për vitin shkollor 2016-2017. Nën drejtimin e kryebashkiakut Veliaj, Bashkia e Tiranës riktheu pas një ndërprerje 4-vjeçare edhe bursat për nxënësit ekselentë. Janë 2230 nxënës ekselencë që kanë përfituar bursa nga Bashkia e Tiranës, ndërsa kryebashkiaku Veliaj ka premtuar se kjo mbështetje do të vijojë edhe këtë vit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat