Veliaj tregon bastin që ka vënë për Tiranën

Tirana

Veliaj tregon bastin që ka vënë për Tiranën

Më: 10 mars 2017 Në ora: 11:53
Kryebashkiaku Erion Veliaj

Bashkia e Tiranës përfundoi rindërtimin e plotë të çerdhes nr. 13, duke siguruar jo vetëm kushte më të mira edukative për fëmijët, por edhe duke shtuar me gati tre herë kapacitetin e saj.

“Është një dhuratë për fëmijët e vegjël, por edhe për nënat që i sjellin fëmijët në këtë hapësirë moderne, tashmë tre herë më e madhe se më parë. Godina sot ka dy kate dhe u shërben 100 fëmijëve. Jam shumë i lumtur që në gjithë Tiranën kemi bërë 36 çerdhe të reja”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.

Ai theksoi se ky është një tjetër investim për të ardhmen, i cili garanton një qytet më të mirë nesër.

“Basti që kemi vënë për Tiranën fillon me çerdhet e kopshtet; nëse fëmijët rriten në çerdhe e kopshte të mira, nesër do të kemi qytetarë të dashur, të pastër, që respektojnë rregullat e qytetit. Unë dua që t’i uroj edukatoret dhe fëmijët ta gëzojnë çerdhen e re, me shpresën se këtu do rriten fëmijë të mirë dhe Shqipëria do jetë më e mirë”, shtoi Veliaj.

Sa i përket Njësisë Administrative Nr. 8, Veliaj theksoi se është parashikuar që pas çerdheve dhe kopshteve të vijohet edhe me infrastrukturën e shkollave, ndërsa bëri të ditur se për pak ditë hapet edhe Pazari i Ri, i cili ashtu si çdo investim tjetër ka rritur ndjeshëm vlerën e pronës për banorët.

“Javën tjetër do të hapim Pazarin e Ri, një nga hapësirat urbane më me vlerë në Tiranë. Sipas të gjitha agjencive imobilare, rreth e rrotull Pazarit të Ri vlera e pronës është rritur deri në 40%-50%. Ndaj, besoj se po të vazhdojmë me këtë ritëm, edhe në lagje të tjera do të kemi rritje të vlerës së pronës”, përfundoi Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat