Bashkia e Tiranës përfundon rindërtimin e Pazarit të Ri, nuk do e besoni sesa persona do të punësojë

Tirana

Bashkia e Tiranës përfundon rindërtimin e Pazarit të Ri, nuk do e besoni sesa persona do të punësojë

Më: 12 mars 2017 Në ora: 13:28
Pazari i Ri

Pazari i Ri është gati të hapë dyert në Ditën e Verës, për të mirëpritur 308 tregtarë që do të punësohen aty gjatë orëve të paradites, por edhe mijëra qytetarë që do duan të kalojnë orët e pasdites për të shijuar ushqimet dhe produktet vendase. 

Bashkia e Tiranës po i jep dorën e fundit edhe detajeve më të vogla, ndërsa ka përfunduar markata e mishit dhe e peshkut, si dhe tregu i fruta perimeve.

Pazari i Ri u inspektua sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi punën e kryer në kohë rekord dhe realizimin e projektit, i cili do t'i shërbejë gjithë Tiranës si një qendër e re tregtare, por edhe turistike e argëtimi.  

“Jam jashtëzakonisht entuziast sot për këtë mrekulli. Siç thotë ajo shprehja: duhet një fshat për të rritur një fëmijë, kurse për të lindur një projekt duhet bashkëpunim i jashtëzakonshëm. Nuk besoj se ka një histori suksesi në Shqipëri ku një fondacion perëndimor si AADF, së bashku me një autoritet vendor, me një kontraktor dhe dhjetëra nënkontraktorë, me qindra familje dhe banorë, të kenë gjetur gjuhën për këtë bashkëpunim. Do të thotë që kur ne shqiptarët vëmë mendjen e zemrën bashkë, mund të bëjmë gjëra të bukura dhe nuk qenka mision i pamundur të gjejmë gjuhën për gjëra të bukura”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai theksoi se në realizimin e këtij projekti janë ruajtur karakteristikat e Tiranës së vjetër, të cilat janë ndërthurur me modernen, çka e shndërron Pazarin e Ri në një qendër që duhet vizituar. “Nga dita e martë, Tirana do të ketë një qytet të vjetër, një lagje historike, siç e ka çdo qytet tjetër, që përtej modernizimit dhe zhvillimit urban galopant që ka pësuar në vitet 90, të ketë mundësi që në zemër të qytetit të vet, në zemër të Tiranës, të ruajë atë që quhet pjesa historike, pjesa e vjetër”, shtoi kryetari i bashkisë.

Veliaj theksoi se Pazari është dhurata më e mirë që Bashkia e Tiranës i bën gjithë qytetarëve në Ditën e Verës, ndaj i ka ftuar ata që ta shndërrojnë përurimin e këtij projekti në një festë të vërtetë. “Pasnesër duam të ftojmë të gjithë qytetarët të na bashkohen, është Dita e Verës dhe një mënyrë më e mirë për të festuar Ditën e Verës se sa në një vend ku do të shiten produkte lokale, ku do të punësohen njerëz të këtij qyteti, ku do të përjetësohet trashëgimia kulturore e urbanistike e Tiranës, nuk ka, ndaj dhe besoj që qytetarët do të jetë të shumtë. Ne do të fillojmë aktivitetet që në mëngjes, do të vijojmë pastaj në Bulevard, por besoj se “xhevahiri” i Ditës së Verës do jetë hapja e Pazarit të Ri”, theksoi Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat