Rikonstruktohet shkolla “Kongresi i Lushnjës”, Meta falënderon bashkinë për modernizimin e jashtëzakonshëm

Tirana

Rikonstruktohet shkolla “Kongresi i Lushnjës”, Meta falënderon bashkinë për modernizimin e jashtëzakonshëm

Më: 21 mars 2017 Në ora: 15:31
Meta, Veliaj dhe Nikolla në shkollën “Kongresi i Lushnjës”

Rreth 665 nxënës të shkollës “Kongresi i Lushnjës” do të kenë mundësi që të studiojnë në mjedise krejtësisht të rikonstruktuara, të cilat ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme. Për të inspektuar mjediset e reja, ishte i pranishëm kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Kryeparlamentari Meta, ish-nxënës i kësaj shkolle, vlerësoi transformimin e pësuar falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës. 

“Shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë, kjo ka qenë një shkollë 4 vjeçare, sot është një shkollë 9-vjeçare. Ka qenë një shkollë modeste, por përsëri një shkollë e jashtëzakonshme dhe sot është një shkollë mjaft moderne, falë Bashkisë së Tiranës, ministrisë së Arsimit. I falenderoj për këtë modernizim të jashtëzakonshëm që i kanë bërë shkollës Kongresi i Lushnjes ku ke ndjesinë që mund të jesh në një shkollë të nivelit më të lartë evropian”, u shpreh Meta. Një falënderim të veçantë, kreu i Kuvendit adresoi dhe për kryebashkiakun Veliaj me përkushtimin e veçantë të treguar ndaj realizimit të këtij projekti.

Kryebashkiaku Veliaj duke falënderuar ata që ndihmuan në rikonstruksionin e kësaj shkolle, theksoi se kur njerëzit bashkëpunojnë mund të bëhen gjëra të mrekullueshme.

“Nëse në Bashkinë e Tiranës nuk bashkëpunojmë me të gjitha grupimet, me grupime politike, me grupime qytetarësh, nxënësish, etj, bashkisë së Tiranës nuk i shkon puna mirë. Më vjen mirë që nën këtë shembull bashkëpunimi jam këtu me një mik të nderuar, ish-nxënës i kësaj shkolle, i cili ka ndjekur me vëmendje punën në Tiranë. Dhe sa herë që dëgjoj debatet politike, ku sigurisht kur njerëzit kanë përgjegjësi marrin përsipër edhe kritika, por e rëndësishme është që secili prej nesh të bëjë maksimumin dhe të bëjmë çmos që çdo kritikë të reflektohet dhe çdo ditë puna të ketë progres”, tha Veliaj, duke shtuar se interesi i qytetarëve duhet të jetë i pari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat