Bashkia e Tiranës zëvendëson pemët e dëmtuara në Parkun e Madh të Liqenit

Tirana

Bashkia e Tiranës zëvendëson pemët e dëmtuara në Parkun e Madh të Liqenit

Më: 22 mars 2017 Në ora: 12:36
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, duku bere zevendesimi e pemeve te demtuara me peme te reja

Pemët e dëmtuara të Parkut të Madh të Liqenit po zëvendësohen me pemë të reja, duke zgjeruar sipërfaqen e gjelbëruar.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, theksoi se parku është një hapësirë shumë e rëndësishme për qytetin, i cili ndikon rrënjësisht në cilësinë e jetës së qytetarëve, ndaj edhe zëvendësimi i pemëve të dëmtuara me fidanë të rinj është domosdoshmëri. 

“Jemi duke pyllëzuar një pjesë të parkut të liqenit, e cila ka qenë me pemë të dëmtuara dhe mbushjet e tilla kanë vijuar gjatë gjithë kësaj kohe, do të vijojnë në të gjithë hapësirën e parkut për ta pyllëzuar thellësisht. Ne duam ta kthejmë atë në një hapësirë të gjallë në secilën prej pjesëve të tij, bashkë me investimet e tjera në park, shtimin e rrugëve për këmbësorët, shtimin e një korsie për biçikletat dhe shtimin e një korsie të mirëfilltë për vrapin”, u shpreh Mazniku. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës tha se Parku i Madh i Liqenit do të ketë të gjithë vëmendjen e duhur për të qenë një hapësirë ku gjithkush mund të kalojë disa orë në ajër të pastër.

“Është një hapësirë që duhet të ketë mundësi të jetohet dhe pjesë e të qënurit e jetueshme do të thotë që njerëzit të mund të ulen në stola, të bëjnë vrap në një pistë të mirëfilltë vrapi, të kenë mundësi të ecin, si dhe të lëvizin me biçikletë në park, në një rrugë të re të posaçme që bëhet vetëm për ta”, tha ai. Nënkryetari Mazniku garantoi se në çdo investim publik të Bashkisë së Tiranës është punuar për mbjelljen e pemëve të reja dhe shtimin e hapësirave të gjelbra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat