Tjetër investim në Tiranë, Amfiteatri te Parku i Liqenit do restaurohet

Tirana

Tjetër investim në Tiranë, Amfiteatri te Parku i Liqenit do restaurohet

Më: 26 mars 2017 Në ora: 19:25
Amfiteatri te Parku i Liqenit

Shumë shpejt, amfiteatri, një nga monumentet më të dashura të Parkut të Liqenit do të rimarrë pamjen e dikurshme.

Të shumtë janë ata që frekuentojnë këtë zonë gjatë gjithë stinëve të vitit, ndaj rikthimi në identitet do t’i kthejë qytetarëve që kalojnë orët e tyre në këtë zonë, jo vetëm një ambient modern edukimi e argëtimi, por edhe një skenë teatrore më shumë.

“Parimi ynë ka qenë ndërhyrja në park që ta lidhë atë me kthimin në identitet në çdo element të tij, përmirësojmë vetëm aty ku është e domosdoshme dhe funksionalizojmë pjesë të parkut, të cilat nuk janë të përshtatshme për momentin, teatri në vetvete është një kthim në identitet.  Janë mbi 1500 ulëse. Është një skene, një arenë shumë e rëndësishme, sepse në Tiranë do kemi 3-4 vite, ku skenat e mëdha do të jenë në rikonstruksion, kështu që do të kemi shumë nevoje për një infrastrukture të tillë”, shprehet Blendi Gonxhe, drejtor i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.

I lënë për shume vite në harresë, degradimi i amfiteatrit është i dukshëm. Prej vitesh, që prej ndërtimit të tij, nuk është vënë dorë në përmirësimin e kushteve.

“Është një zonë që do të ketë prekje përtej rrugës, në pjesën që shkon për tek liqeni, tek godina e vjetër e ish-notarëve që do të rehabilitohet plotësisht. Do të kthehet në një objekt shumë të bukur në një qendër informacioni dhe edukimi për fëmijët. Vetë teatri do të ketë një rikonstruksion të thellë dhe rehabilitim të plotë të gjithë shkarkuesve që janë një problem i madh në atë zonë të parkut”, tha Blendi Gonxhe, drejtor i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.

Rehabilitimi do të nisë shumë shpejt dhe punimet do të zgjasin rreth 3 muaj, për t’i shtuar shpejt kryeqytetit Teatrin Veror, një skenë më shumë në natyrë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat