Veliaj inspekton punimet në Shëngjergj: Investojmë njësoj, si në qendër dhe në periferi

Tirana

Veliaj inspekton punimet në Shëngjergj: Investojmë njësoj, si në qendër dhe në periferi

Më: 15 prill 2017 Në ora: 12:32
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ka inspektuar ambientet sportive në shkollën e Shëngjergjit, ku tha se prioritet i institucionit të tij mbeten investimet në zonat rurale, në mënyrë që kushtet të jenë të njëjta si në qytet, edhe në fshat.

“Edhe pse është fundjavë pashke, dhe ju uroj të gjithëve gëzuar, për Bashkinë e Tiranës koha ikën aq shpejt, sa duhet të shfrytëzojmë edhe ditët pushimit. Po nxitojmë të mbyllim brenda afatit një mujor të gjitha punimet në tre fushat e reja që kemi këtu në Shëngjergj. Besojmë se engjëjt e Tiranës, me talentin e tyre, janë të vlefshëm për qytetin dhe për vendin tonë. Kjo do të thotë se 300 fëmijët që studiojnë në këtë shkollë meritojnë të kenë të gjitha kushtet, të njëjtat terrene me cilësi, siç i kanë shkollat në ish Bllok, brenda Unazës së Tiranës apo edhe ato të rejat që po bëjmë në zona të tjera”, tha Veliaj.

Duke siguruar qytetarët se Bashkia e Tiranës do të vijojë me të njëjtin ritëm investimesh deri në fund të mandatit, Veliaj nënvizoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit edhe me pushtetin qendror, si e vetmja garanci për transformimin e kryeqytetit.

“Do të vazhdojmë me këtë frymë deri në fund të mandatit. Njerëzit duhet të kuptojnë se fati i investimeve të bashkisë është i lidhur me atë të qeverisë. Ndaj, në datën 18 qershor do vazhdojmë në të njëjtin drejtim, me Edi Ramën kryeministër dhe me PS-në në krye të punëve të vendit. Ndërsa ne sigurohemi që çdo ditë bëjmë nga një punë konkrete për Tiranën sepse është garancia e vetme se si transformohet i gjithë qyteti”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat