Veliaj fton qytetarët të bëhen pjesë e zgjedhjes së administratorëve të pallateve

Tirana

Veliaj fton qytetarët të bëhen pjesë e zgjedhjes së administratorëve të pallateve

Më: 17 maj 2017 Në ora: 10:38
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj

Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit për bashkëpronësinë dhe ‘administratorët e pallateve’, i cili synon krijimin e një rrjeti punonjësish të përzgjedhur nga qytetarët dhe të certifikuar nga Bashkia e Tiranës, të cilët do të gjenden pranë komunitetit për t’i dhënë zgjidhje problematikave që lindin prej bashkëpronësisë.

Përmes një videomesazhi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe të bëhen pjesë e projektit për zgjedhjen e administratorëve të rinj të pallateve.

“Prej vitesh ne kemi trashëguar  një sërë problematikash në pallatin tonë, në komunitetin tonë, në lagjen tonë. Bashkia e Tiranës ka një plan konkret se si këto mund të zgjidhen. Një punonjës i bashkisë  do të vijë shumë shpejt në derën tënde për të ftuar  që të jesh pjesë e vendimmarrjes për administratorin e ri të pallatit. 

Ky administrator i ri do të kujdeset për të gjithë hapësirën e përbashkët dhe do të zgjidhë shumë prej problemeve në komunitet. Ne provat e para i kemi dhënë, por ka ardhur koha që edhe ti të bëhesh pjesë e këtij ndryshimi të madh  për ta sjellë Tiranën në një qytet me parametra europianë”, thekson Veliaj. 

Kjo iniciativë mbi të gjitha siguron standardet e ruajtjes së higjienës, shëndetit publik dhe mbrojtjes kundër zjarrit, duke rritur kështu sigurinë e banorëve dhe duke vendosur standardet e munguara deri më sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat