Tiranë, u liruan nga amnistia, por bëjnë gabimin e madh

Tirana

Tiranë, u liruan nga amnistia, por bëjnë gabimin e madh

Më: 24 maj 2017 Në ora: 09:46
Ilustrim

Të dënuarit e liruar nga amnistia e fundvitit kryejnë vjedhje e grabitje përsëri.

Policia e Tiranës ka identifikuar 5 persona të dyshuar për disa vjedhje të ndodhura gjatë javëve të fundit, 3 prej të cilëve rezultojnë ish-të dënuar për vjedhje që kanë përfituar nga amnistia e fundit, shkruan “Panorama”.

Deri tani janë arrestuar 2 prej të dyshuarve, ndërsa 3 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre. Vjedhja e fundit që ata dyshohet të kenë realizuar ka ndodhur tri ditë më parë, në magazinën e një fabrike që ndodhet në rrugën e “Qelqit”.

Ndërsa dyshohen të jenë autorë edhe të disa ngjarjeve të tilla të ndodhura kryesisht në zonën e Yzberishtit, Mëzesit dhe përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Operacioni për arrestimin e tyre, që u organizua nga shërbimet e Komisariatit nr.4, u kodua “Recidivistët”, pikërisht për arsye se tre prej tyre rezultojnë përsëritës të krimeve për të cilat janë dënuar edhe më parë.

Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se gjatë këtij operacioni u arrestuan dy persona, Danjel Dulellari, 27 vjeç, dhe Elton Halili, 20 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje. Ndërsa u shpallën në kërkim edhe shtetasit me iniciale F.H., 18 vjeç e D.T., 30 vjeç, të dy të dënuar më parë për vjedhje dhe që kishin përfituar nga amnistia e fundit.

Gjithashtu, edhe një tjetër person, i cili paraprakisht është identifikuar me inicialet L.S., por ende nuk dihen gjeneralitetet e sakta të tij.

“Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet të jenë autorë të vjedhjes së ndodhur më datë 21 maj, në rrugën e ‘Qelqit’, në magazinat në brendësi të një fabrike. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar kompresori i dyshuar i vjedhur në magazinat e kësaj fabrike”, tha dje zyrtarisht Policia e Tiranës.

Burimet thanë se kjo ngjarje tashmë rezulton e provuar, qoftë me prova shkencore, por edhe për arsye se objekti që ata kishin vjedhur është gjetur e sekuestruar. Nga ana tjetër, po vijojnë hetimet në bashkëpunim me oficerët e Komisariatit nr.6 për zbulimin edhe të ngjarjeve të tjera ku ata dyshohet të jenë të përfshirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat