Turi “Tirana-dy vjet zgjuar” vijoi sot në Njësinë Administrative Nr.10

Tirana

Turi “Tirana-dy vjet zgjuar” vijoi sot në Njësinë Administrative Nr.10

Më: 3 qershor 2017 Në ora: 14:04
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Në vijim të turit “Tirana – 2 vjet zgjuar”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me banorët e njësisë administrative Nr. 10, ku bëri një bilanc të punëve që janë kryer në këto dy vite në këtë zonë. Veliaj theksoi se investimet e realizuara nga Bashkia e Tiranës kanë rritur vlerën e pronës së qytetarëve. Ai tha se investimet e kryera në gjithë Tiranën, por kryesisht ato që kanë të bëjnë me projektet madhore, i kanë rritur vlerën pronës, duke sjellë një përfitim të dyfishtë për banorët që jetojnë afër tyre.

“Ju mund të thoni se nuk jetoj në sheshin Skënderbej, në Bulevard apo në Pazar të Ri. Megjithatë afërsia me këto investime të mëdha sigurisht që i rrit vlerën prones. Të shkojë sot dikush te Pazari i Ri, ku vlera e një dyqani është rritur 2-3 herë”, tha Veliaj. Ai ftoi qytetarët në hapjen e sheshit Skënderbej në datë 10 qershor.

“Me investimet që kemi bërë edhe në këtë zonë, duke filluar nga ekstremi i njësisë 10 që është sheshi Skënderbej, afërsia me bulevardin e ri, besoj se i kemi rritur vlerën e zones në mënyrë të jashtëzakonshme. Dua t’ju ftoj të gjithëve në datën 10 qershor, pasdite, kur do të hapim më në fund sheshin Skënderbej. Ka dalë spektakolar dhe ndoshta edhe përtej pritshmërive tona. Sheshi ka disa funksione. Sigurisht pjesa kryesore është për tubime, për koncerte, për aktivitete masive, për fëmijët që dalin pasdite. Ndërkohë që gjithë pjesa pas Muzeut Kombëtar është rezervuar kryesisht për hije. Kemi mbjellë  pafund pemë dhe është një lloj minipylli në mes të Tiranës”, tha Veliaj.

Ai theksoi se finalizimi i disa prej projekteve madhore, si sheshi Skënderbej, Bulevari i Ri apo Pazari i Ri janë një tregues i qartë se kur ka vullnet punët bëhen mirë dhe ecin shpejt. “Kur Bashkia nuk është në gjumë, por në punë, projektet mbarojnë për 8 muaj. E filluam në nëntor, mjafton që qeveria qendrore të mbështesi bashkinë, ashtu si Edi Rama ka mbështetur Bashkinë e Tiranës dhe u bë për 8 muaj. Me Pazarin e Ri mbaruam për 7 muaj. Kjo do të thotë që kur ka vullnet për punë gjendet një mënyrë për t’i bërë punët shpejt dhe me cilësi”, u shpreh Veliaj.

Duke sjellë në vëmendje vonesat e tejzgjatura për ndërtimin e Bulevardit të Ri apo prishjen e mbikalimit të “Zogut të Zi”, kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se ato duhet të shërbejnë për të kuptuar se çdo hap pas mund të sjellë bllokim të ndryshimit në Tiranë. Ndaj Veliaj kërkoi prej qytetarëve që të bëjnë zgjedhjen e duhur për të ardhmen në mënyrë që ritmi i investimeve të ruhet, por edhe që punët e bëra të mos shkatërrohen siç ka ndodhur në të shkuarën.

“Iu thashë këtyre të PD-së a doni të shpëtoni nga Saliu, a doni që mos ta keni nëpër këmbë, a doni që të rilindë partia juaj, e keni shumë kollaj, Saliu është i pesti, mos e nxirrni deputet, votoni pak, vetëm për 4 veta, mos e nxirrni dhe shpëtoni edhe ju… Siç ishim bashkë sot 2 vite zgjuar të vazhdojmë çdo ditë me Tiranën në punë, Tiranën në drejtimin e duhur, për qytetin që duam, edhe për Shqipërinë që duam”, tha Veliaj.

Ai ka theksuar se pavarësisht faktit nëse është fushatë apo verë, puna në Tiranë do të vazhdojë çdo ditë deri sa investimet e bashkisë të mbërrijnë në çdo lagje. Për këtë ai ka kërkuar edhe mirëkuptimin e banorëve për problemet që mund të sjellin punimet në terren. “Jo vetëm kaq, por ajo që u premtoj publikisht eshte se do të jemi përditë në krye të punëve që pvarësisht se çfarë ndodh me politikën e madhe, me rutinën e pushimeve, Bashkia e Tiranës nuk ka ditë pushimi. Ne do të jemi 24 orë, 7 ditë të javës ne punë, që kur të kthehen njerëzit në shtator nga pushimet ta gjejnë Tiranën akoma më të mirë se ishte”, shtoi Veliaj.

Ai ka bërë të ditur se në këtë zonë do të fillojnë të zbatohen disa projekte shumë të rëndësishme të infrastrukturës arsimore ashtu edhe të asaj rrugore. Veliaj ka veçuar projektin e ndërtimit të korsisë së biçikletave përgjatë rrugës së Kavajës. “Do të vazhdojmë me korsitë e biçikletave në Rrugën e Kavajës. Në të gjitha qytetet e botës e përdor apo nuk e përdor biçikletën, shtëpitë, pallatet, pronat që janë pranë një rruge me korsi biçikletash kanë vlerë 20% më të madhe sesa një rrugë tjetër që është vetëm për makina”, theksoi Veliaj.

Sa i përket infrastrukturës arsimore ai ka theksuar se në bashkëpunim edhe me qeverinë është vendosur nisja e ndërtimit të 20 shkollave të reja, çka pritet t’i japë zgjidhje përfundimtare problemit të shkollave me dy turne. “Bashkë me qeverinë e Edi Ramës, bashkë me deputetët tanë unë kam kërkuar që të kemi financim nga qeveria, që siç po e bëjmë me pallatet, ta bëjë dhe qeveria për Tiranën, sa lekë vemë ne për shkollat, aq të verë dhe qeveria qendrore. Më në fund vendimi është marrë, Edi Rama ka firmosur që të financojmë 20 shkolla në Tiranë nga të cilat 4 i kemi filluar, kemi dhe 16-17 të tjera në proces. Më në fund të zgjidhet gangrena e shkollës me dy turne që ka qenë një nga gjërat më të padrejta”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Kreu i Bashkisë është ndalur edhe te procesi i zgjedhjes së administratorëve të pallatave, duke theksuar se ai ka një rëndësi për vetë bashkëjetesën e banorëve të pallateve. Ndaj ai i ka bërë thirrje qytetarëve që të zgjedhin asamblenë dhe administratorin në mënyrë që të mund të përfitojnë edhe nga fondi i komuniteteve që Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion. “Programi që dua t’ju ftoj të merrni pjesë është programi i komuniteteve. Ne i themi banorëve që zgjidhni administratorin dhe çfarë fondi të gjeni ju si pallat Bashkia do japë po aq. Ndaj ju lutem merrni pjesë në asamble, zgjidhni administratorin dhe pastaj do ju japim lekët për të bërë investimet e nevojshme në pallate”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai u ndal edhe te çështja e ekipit të ftubollit “Tirana” duke theksuar se Bashkia e Tiranës ka zbatuar me përpikmëri çdo detyrim të sajin karshi këtij klubi, ndërsa ka mundur që në këto dy vite të shlyejë edhe gjithë borxhet që i kishte lënë administrata e mëparshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat