Veliaj: Pas Sheshit ‘Skënderbej’, riparojmë 50 blloqe pallatesh në vit

Tirana

Veliaj: Pas Sheshit ‘Skënderbej’, riparojmë 50 blloqe pallatesh në vit

Më: 5 qershor 2017 Në ora: 15:47
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, tha se me përurimin e projekteve të mëdha në kryeqytet, Bashkia ka planifikuar të riparojë dhe rikualiftikojë 50 blloqe pallatesh në vit.

“Me të mbyllur projektet e mëdha si sheshi Skëndërbej, Bulevardi i Ri, Pazari i Ri dhe Parku Olimpik, fokusi ynë do të jetë puna nëpër lagjet e Tiranës. Çdo vit kemi bërë plan të riparojmë 50 blloqe, që do të thotë se brenda mandatit tonë do të ndërhyjmë me investime në mbi 200 lagje”, theksoi kryebashkiaku. Veliaj foli në takim me banorët e Njësisë Administrative Nr. 11 në Laprakë, në vijim të turit “Tirana – 2 vjet zgjuar”,

Ai deklaroi se është vetëm çështje kohe që çdo investim i Bashkisë së Tiranës të mbërrijë në çdo lagje të Tiranës.

“Për sa kohë që jemi duke bërë çdo ditë nga një punë konkrete, ju them se është vetëm çështje kohe sa të vijmë në lagjen tuaj. Nëse na shikoni një ditë pushim, që nuk kemi bërë një punë konkrete, atëherë mund ta humbni shpresën e do thoni filluan gjumin edhe këta. Por, sa kohë çdo ditë po bëjmë nga një punë konkrete, besoj se secili e merr mesazhin që është vetëm çështje kohe sa rrëgullojmë rrugicën ku kalon ti, pusetën para shtëpisë apo ujësjellësin që të furnizon me ujë të pijshëm”, tha ai.

 Veliaj deklaroi se ajo që është bërë gjatë këtyre dy viteve të para të drejtimit të Bashkisë së Tiranës, është tregues i vullnetit për të transformuar kryeqytetin. Si shembull konkret, ai solli ndryshimin që ka pësuar sheshi “Skënderbej”. “Një ndër gjërat madhore për të cilat do të doja t’ju ftoja është sheshi “Skënderbej”, i cili hapet për publikun ditën e shtunë, në orën 19.30, me një koncert madhështor.”

 Duke u ndalur te investimet në Njësinë 11, kreu i Bashkisë së Tiranës shtoi se në Laprakë janë duke u zhvilluar disa projekte të rëndësishme, një prej të cilëve është edhe rikonstruksioni dhe vendosja në punë e kinemasë. “Jemi duke ndjekur dy investime kryesore në anën tjetër të rrugës. Pata një bisedë me Maks Velon i cili ishte jashtëzakonisht i emocionuar se tha që as nuk e mendoja që kinemaja që unë kam projektuar në Laprakë do hapej ndonjëherë. Na ndajnë vetëm pak ditë nga përurimi dhe më në fund ju do të keni një kinema moderne në qendër të Laprakës, e cila do të shërbejë edhe qendër komunitare”, tha Veliaj.

 Kryebashkiaku i Tiranës tha se edhe në këtë njësi, ashtu si edhe në njësitë e tjera të qytetit, ka patur një rritje të theksuar të investimeve në krahasim me atë që kishte bërë administrata e shkuar e bashkisë në 4 vjet të marra bashkë. “

Ai nënvizoi se në Njësinë 11 do të vazhdojnë investimet në Bregun e Lumit në mënyrë që ajo të kthehet në një zonë e jetueshme, si çdo zonë tjetër e Tiranës. “Do të vazhdojmë me gjithë rehabilitimin te Bregu i Lumit dhe të sigurohemi që mbaron i gjithë projekti aty, ndërkohë që është riparuar e gjithë kaskada e lumit për efekt të përmbytjeve. Ka qenë viti i parë që s’ka pasur përmbytje. Ndërkohë, gjithë komunitetit rom po u bëhen banesat e tjera në Shkozë, që njerëzit të kenë mundësi të jetojnë të qetë”, tha Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat