Nëse kjo grua ju del përpara në Tiranë, kujdes... është "mjeshtre" grabitjesh!

Tirana

Nëse kjo grua ju del përpara në Tiranë, kujdes... është "mjeshtre" grabitjesh!

Më: 11 qershor 2017 Në ora: 17:15
Gjykata e larte e Tiranes

Vuajtja e një dënimi me burg për akuzën e “vjedhjes” duket se nuk ka dhënë asnjë lloj efekti rehabilitues te një 42-vjeçare, e njohur nga Policia e Tiranës si hajdute seriale.

Gjashtë ditë pasi ka dalë nga qelitë e burgut, Rosalinda Konomi është kthyer sërish aty, po si e dyshuar për kryerjen e një vjedhjeje.

Referuar ngjarjes për të cilën është prangosur, vërehet se ajo i ka qëndruar “besnike” skemës së saj të zakonshme sa i përket mekanizmit të kryerjes së veprës penale, por edhe sa u përket “shënjestrave” të saj.

Kështu, 42-vjeçarja që ndryshon shpesh vendbanimet e saj nëpër kryeqytet ka vjedhur çantën e një klienteje të një dyqani rrobash për fëmijë në kryeqytet, ku ndodheshin 4500 lekë.

E arrestuara Konomi u paraqit dje në Gjykatën e Tiranës, ku u përball me kërkesën e prokurorisë për caktimin ndaj saj të masës së sigurisë “arrest në burg”. Me gjithë qëndrimin mohues të së dyshuarës, gjyqtarja e gatshme Marjana Dedi vendosi dje miratimin e kësaj kërkese.

Në vijim, gjyqtarja vendosi zbatimin e procedurës së gjykimit të drejtpërdrejtë për këtë çështje. Pasi u njoh me pretendimet të palëve, gjyqtarja i dha kohë prokurorisë të paraqesë konkluzionet përfundimtare.

MOHIMI

Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluara me dyer të mbyllura, 42-vjeçarja është përpjekur të shfajësohet, duke kundërshtuar pretendimet e prokurorisë. Para trupit gjykues ajo ka pretenduar se çantën dhe paratë që ndodheshin në të i ka gjetur në trotuar dhe se nuk e kishte vjedhur atë.

Qëndrimi i saj ka qenë i kundërt me atë të përfaqësuesit të prokurorisë. Sipas prokurorit, e pandehura ishte arrestuar për shkak se dyshohet se ishte autore e vjedhjes së një çante në një dyqan për rroba fëmijësh në Tiranë.

Prokurori i ka thënë gjykatës se dyshimi bazohej në prova, mes të cilave edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë së dyqanit, ku pikaste veprimi i të pandehurës.

Image

DENIMI I FUNDIT

E pandehura Rosalinda Konomi është përsëritëse në veprën penale për të cilën akuzohet.

Një javë më parë ajo përfundoi një dënim me 2 vjet e 6 muaj heqje lirie caktuar ndaj saj përmes një vendimi të Gjykatës së Tiranës, në qershor të vitit 2016.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ajo përfitoi uljen e një të tretës dhe përfundimisht u dënua me 1 vit e 8 muaj burg. Ajo u gjykua si autore e të paktën nëntë rasteve të vjedhjes së çantave dhe portofolave të grave të tjera. Në një nga këto raste “preja” e saj ishte edhe bashkëshortja e një zyrtari të lartë të Policisë së Shtetit.

Skema e vjedhjeve, si “godiste” në dyqanet e Tiranës 42-vjeçarja 

Në gjykimin e saj të mëparshëm Prokuroria e Tiranës ngriti dyshimet se Rosalinda Konomi ishte autore e të paktën nëntë episodeve kriminale të vjedhjes. Sipas Prokurorisë, në të gjitha rastet “viktimat” e vjedhjeve të saj ishin gra. Sipas të dhënave, Konomi futej nëpër dyqane të ndryshme duke u hequr si kliente.

Më tej ajo ruante momentin kur pronaret e çantave, klientet të tjera në dyqan, futeshin në dhoma provash. Në këtë moment ajo merrte çantat ku ndodheshin telefona e portofola dhe largohej me shpejtësi. Prokuroria dokumentoi nëntë episode të kryera gjatë shkurtit 2016, të ndodhura kryesisht në rrugën “Mine Peza”, në rrugën “Reshit Petrela”, “Ded Gjo Luli” dhe te “Tregu çam”.

Në shkurt 2016 vodhi bashkëshorten e ish-zyrtarit të Policisë

Në lidhje me këtë gjykimin Konomi u arrestua në shkurt të vitit 2016. “Goditja” e saj e fundit para arrestimit ishte ajo e 27 shkurtit në rrugën “Myslym Shyri”, ku ajo nuk e dinte se personi që i mori çantën ishte bashkëshortja e zv.drejtorit të atëhershëm të Policisë së Shtetit, Ardian Çipa. Ky i fundit u angazhua vetë në gjetjen dhe arrestimin e Konomit. Gjatë gjykimit e pandehura pranoi akuzën dhe shfaqi pendesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat