Avioni i parë me 150 turistë nga Biellorusia mbërrin në Tiranë

Tirana

Avioni i parë me 150 turistë nga Biellorusia mbërrin në Tiranë

Më: 12 qershor 2017 Në ora: 12:43
Rinasi

Avioni i parë me 150 turistë nga Biellorusia është ulur mëngjesin e kësaj të hënë në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”.

Efektet pozitive të heqjes së vizave me disa shtete që qeveria shqiptare miratoi disa javë më parë, tashmë u konkretizuan dhe me tregun biellorus ku, fluturimet javore nga kryeqyteti Minsk do të vijojnë të sjellin turistë deri në fund të muajit shtator.

Është kompania Aler Travel, e cila ka zgjedhur pikërisht këtë treg rusishtfolës për t’i sjellë në Shqipëri, pas një promovimi intensiv që është bërë nga Ministria e Turizmit në këto vende për bukuritë e Shqipërisë.

Kompania Aler Travel do të vijojë të sjellë çdo javë turistë nga Bjellorusia dhe Ukraina deri në fund të muajit shtator. Vetëm nga Ukraina pritet të vijnë këtë vit rreth 8000 turistë. Ndërkohë që sfida e Shqipërisë është ofrimi i shërbimeve sa më cilësore.

Ulja e TVSH së Turizmit nga 20 % në 6 % pritet të sjellë një bum të ardhurash për këtë industri dhe shtimin e investimeve për zgjerim të strukturave akomoduese dhe përmirësim të shërbimeve të tyre. Synimi në këtë sektor nuk është më thjesht rritja e numrit të turistëve, por ofrimi i shërbimeve cilësore, zgjatja e kohës së qëndrimit të turistëve, në mënyrë që ata të shpenzojnë më shumë dhe të kthehen sërish.

Ndërkohë nga autoritetet shqiptare janë përgatitur materiale informuese në gjuhën ruse. Vendet e tregut rusisht folës, përfshirë edhe vetë Rusinë, janë një potencial i madh i cili lakmohet jo vetëm nga Shqipëria e vogël por nga i gjithë Ballkan. Me mbi 9.5 milionë banore, Biellorusia pritet të rrisë ndjeshëm numrin e turisteve në vendin tone.

Në kuadër të çeljes së sezonit turistik në Shqipëri Këshilli i Ministrave miratoi në fund të muajit maj vendimin për shtimin e disa shteteve në listën e shteteve/shtetasve të cilët hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë. Sipas vendimit, shtetasit e vendeve si Rusia, Arabia Saudite, Bjellorusia, Gjeorgjia, Katari, Omani, hyjnë në Shqipëri duke paraqitur dokumentin pasaportë për periudhën 31 maj – 15 nëntor 2017.

Gjithashtu, në listën e vendeve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa vizë (si rrjedhojë e hyrjes pa vizë në zonën Shengen), i shtohet shteti i Moldavisë me dokumentin pasaportë

Në 4 muajt e parë të këtij viti numri i turistëve ishte rreth 13.7 % më i lartë  se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Marrëdhëniet diplomatike midis Bjellorusisë dhe Shqipërisë u vendosën në 17 maj 1993.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat