Veliaj: Sheshi “Skënderbej” uli trafikun dhe ndotjen

Tirana

Veliaj: Sheshi “Skënderbej” uli trafikun dhe ndotjen

Më: 14 qershor 2017 Në ora: 07:40
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Velia

I ftuar këtë të martë në “Opinion”, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj foli për rindërtimin e sheshit “Skënderbej”. Teksa theksoi se Tiranës i mungonte një shesh i tillë, ai tha se ka ndikuar në uljen e ndotjes së ajrit nën normën e vendosur nga BE, si dhe ka ulur edhe rritjen e trafikut në kryeqytet.

Veliaj tha se Tirana trashëgoi një investim nëntokësor dhe ishte projektuar për të pasur ujë dhe shatërvanë që u përmirësua nga projekti i Brasinit. Sipas tij, sheshi ishte projektuar pa aspak gjelbërim, ndërsa projekti i ri ka 50% gjelbërim.

“Vendosëm të shfrytëzonim investimin e bërë nga Rama në 2008. Në thelb sot Inspektorati i Mjedisit ka nxjerrë rezultatet dhe për herë të parë sot Tirana ka qenë nën normën e vendosur nga BE-ja. Këto janë fakte. Nëse bëni një matje, sot trafiku në kryeqytet është goxha më i stabilizuar, edhe pse njerëzit e kanë kuptuar sheshin si pedonale. Por edhe prej parkimit nëntokësor. Të gjitha këto 1000 mijë makina vinin vërdallë për të gjetur një vend parkimi. Unë sapo vij nga sheshi dhe nuk besoj se Tirana prej kohësh nuk ka pasur një vendtakim të tillë. Një pikëtakimi 90 mijë metra katrorë në qendër të Tiranës, ku çdo mbrëmje gëlon, unë besoj se Tiranës i mungonte. Unë them se kemi marrë projektin optimal”.

Blendi Fevziu e pyeti Kryebashkiakun edhe nëse ky shesh do të rrethohet nga kullat e larta, të parashikuara në projektin francez.

“Sheshi “Skënderbej” sot nuk ka ende një aplikim për kulla të larta, përveç në shtese të Hotel Tiranës, që është një histori suksesi.”

I pyetur nëse kjo kullë dëmton qytetin, pasi ndodhet në shpinë të Hotel Tiranës, Veliaj u shpreh se kjo hapësirë është tërësisht e vdekur, një hapësirë që sipas Kryebashkiakut përdoret për kazanët e plehrave. Ai tha se kjo nuk e prek vlerën historike të Hotel Tiranës. Madje Veliaj theksoi se kryeqytetit, që ka mungesë të theksuar hotelesh, i duhen hotele që të mirëpresin turistët.

“Është në sfond të Hotel Tiranës, do të ketë vetëm një tunel që të çon nga hoteli vjetër tek i riu. Sot ju e dini fare mirë, që nuk vjen njeri në Tiranë dhe thotë dua të shkoj të rri në Vaqarr. Pyetja që kam unë është ku do rrinë turistët në Tiranë? Ky është një hotel i ri, një shtesë e Hotel Tiranës, shton 270 dhoma turistësh, do të punojnë njerëz ta ndërtojnë, do të paguhen të paktën 3 milion euro në Bashkinë e Tiranës, me të cilat do të ndërtojmë të paktën 2 shkolla”.

Fevziu e pyeti gjithashtu Veliajn nëse do të ndërtohet një kullë pas sahatit, e cila konsiderohet si libri, e parashikuar në projektin francez.

“Jo libri nuk është kullë është shumë më i ulët. Një e treta është pronë e Bashkisë së Tiranës. Sot pjesa nga Sahati tek Plaza është një ferrishte masive, pra është një vend për manaferra. Pra është një vend që ka inerte, është varrezë makinash dhe pikë grumbullimi plehrash, në mes të Tiranës.  Kjo është një pjesë prone ku Bashkia është një e treta pronar. Nëse do më gjeni një vend në qendër të Londrës ngjitur me Cityhall, ngjitur me Bashkinë e Vienës, e Athinës e cila pjesa më e madhe është ferrishte… kështu që propozimi që kemi bërë është që tek projekti i librit, Bashkia të marrë pronën e vet dhe për shumë sektorë siç janë urbanistika dhe administata qendrore e Bashkisë, ne do të përdorim një hapësirë pas sahatit, që sot është një zonë ferrishte.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat