Vazhdon ‘vala’: Atentat në Tiranë, plagosje në Durrës

Tirana

Vazhdon ‘vala’: Atentat në Tiranë, plagosje në Durrës

Më: 17 korrik 2017 Në ora: 10:58
Foto nga vendi i ngjarjes

Aksidente, atentate, vetëvrasje, zjarre masive.

Këto ditë korriku po dominohen nga një valë ngjarjesh nga kronika e zezë.

Edhe kjo e hënë nuk ka nisur ndryshe.

Një 28-vjeçar është plagosur mëngjesin e të hënës në kryeqytet. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën e Dibrës, dhe uniformat blu janë lajmëruar përmes një telefonate në numrin e emergjencave.

Informacionet paraprake bëjnë të ditur se ka pasur të shtëna me armë në këtë zonë rreth orës 09.30.

Nga hetimet e para është plagosur me armë zjarri V. K, 28 vjeç.

Ai është qëlluar nga një person i paidentifikuar, dhe sipas policisë ishte i veshur me të bardha, rreth 160 cm i gjatë dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

I plagosur është transportuar menjëherë në spital ku ndodhet në kujdesin e mjekëve.

Në vendin e ngjarjes është sekuestruar edhe gëzhoja e armës, e llojit pistoletë.

Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të zonës, dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Ndërkohë një 30-vjeçar mbeti i plagosur me thikë një ditë më parë në lagjen Nr.12 në Durrës.

Policia bën të ditur se ka vënë në pranga shtetasin Mariglen Berahi 27 vjeç, banues në fshatin Xhafzotaj, Shijak, i dyshuar si autor i plagosjes me thikë.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në një lokal, ku pas një konflikti të çastit për motive të dobëta 27-vjeçari ka tentuar të vrasë me thikë, duke e goditur në trup shtetasin E.R. 30 vjeç, banues në Durrës.

Për pasojë, i dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat