Fshehu dënimin për tri krime e ndryshimin e emrave, zyrtarin e kapi Dekriminalizimi, por…

Tirana

Fshehu dënimin për tri krime e ndryshimin e emrave, zyrtarin e kapi Dekriminalizimi, por…

Më: 20 korrik 2017 Në ora: 10:07
Gjykata e Tiranës

Gjykata e Tiranës ka vulosur një vendim fajësie ndaj një zyrtari të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, i dërguar në gjyq për shkak të ligjit për dekriminalizimin.

Sipas Gjykatës, ky punonjës i administratës shtetërore ka pasqyruar të dhëna të rreme në formularin e vetëdeklarimit, duke fshehur një dënim të formës së prerë për tri vepra penale, si edhe ndryshimet në identitetin e tij, shkruan “Panorama”. 

Vendimi në fjalë është shpallur më 28 qershor 2017 dhe është i dyti në “radhën” e dënimeve të këtij lloji në gjykatën e kryeqytetit. I pandehuri me iniciale G.B. është shpallur fajtor nga gjykata për akuzën e “falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve” dhe është dënuar me 6 muaj burg.

Zyrtari i ministrisë ka përfituar uljen e 1/3-ës së këtij dënimi, për shkak se procesi gjyqësor ndaj tij u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar. I pandehuri i ka shpëtuar burgut, për shkak se përfundimisht gjyqtari i çështjes, Besnik Hoxha, ka vendosur pezullimin e ekzekutimit me burg. Sipas Gjykatës, G.B. do të qëndrojë në Shërbim Prove për një periudhë 8- mujore, kohë gjatë së cilës nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale.

FALSIFIKIMI

Referuar arsyetimit të vendimit të Gjykatës, i pandehuri G.B. ka pasqyruar të dhëna jo të vërteta në dy nga kategoritë e pyetjeve të formularit të vetëdeklarimit, në një kohë që ishte i ndërgjegjshëm se po kryente një vepër penale.

Sipas Gjykatës, e pavërteta e parë prej tij është rrëfyer në rubrikën ku deklaruesi duhet të paraqesë faktin nëse është dënuar ndonjëherë me vendim gjyqësor të formës prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar ose i huaj. “I pandehuri G.B. ka bërë shënimin që nuk është i dënuar”, thuhej në vendim.

Më pas ky formular është paraqitur në Departamentin e Administratës Publike. Sipas Gjykatës, nga verifikimet e kryera nga ana e Sektorit të Verifikimit të Integritetit në Prokurorinë e Përgjithshme, ka rezultuar se i pandehuri nuk ka pasqyruar në formular faktin se ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak”, “kanosjes” dhe “fyerjes për shkak të detyrës”.

Një tjetër e dhënë e rreme është konstatuar edhe në rubrikën e formularit të vetëdeklarimit, ku deklaruesi duhet të pasqyrojë nëse ka ndryshuar zyrtarisht apo jozyrtarisht ndonjë nga të dhënat e gjeneralitetit. “Në formularin e vetëdeklarimit ka paraqitur rrethana të rreme dhe me ekzistencën e ndryshimit të gjeneraliteteve”, arsyetonte Gjykata në vendim.

Pse nuk u burgos

Gjykata e Tiranës arsyetonte pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg për të pandehurin G.B. me rrezikshmërinë e pakët shoqërore të tij dhe gjendjes familjare. “Gjykata çmon se riedukimi i tij mund të realizohet pa qenë e nevojshme që ai të izolohet nga shoqëria”, argumentonte Gjykata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat