Veliaj: Brenda 5 viteve, me planin tonë të investimeve, Tirana do të ketë ujë 24 orë

Tirana

Veliaj: Brenda 5 viteve, me planin tonë të investimeve, Tirana do të ketë ujë 24 orë

Më: 25 korrik 2017 Në ora: 15:23
Erion Veliaj gjate vizites

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi sot përfundimin e punimeve për rikualifikimin urban të bllokut të kufizuar nga rrugët “Muhamet Gjollesha” – “Myslym Shyri” – rruga e “Kavajës”.

Në një prononcim për mediat, Veliaj tha se “kjo ka qenë një lagje që mund të jetë shumë afër Tiranës, por totalisht katrahurë në mënyrën se si ishte ndërtuar pa leje, në mënyrën se si ishte zënë hapësira publike, se si ishin zaptuar të gjitha terrenet, se si ishin bërë shtesat. Sot kemi një rezultat spektakolar. Kemi 38 rrugë, kemi gjetur disa hapësira ku kemi bërë shesh pushime, lulishte, kënde ku mund të kalojnë kohën e lirë qytetarët”.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se nga një zonë e cila vuante nga mungesa e kanalizimeve dhe e rrjetit të ujësjellësit, tashmë është bërë sistemi duke e kthyer në një lagje model të kryeqytetit.

“Një pjesë e madhe e zonës ka qenë totalisht pa kanalizime, pa rrjet ujësjellësi, pa rrjet për internetin dhe telefoninë. Të gjitha janë futur nëntokë dhe kështu që sot mund të themi që realisht jemi në Tiranë. Edhe pse është gjithë zona e 21-shit, mes “Myslym Shyrit” dhe “Rrugës së Kavajës”, më në fund mund të themi që ne kemi mbërritur në qytetin e Tiranës dhe kemi cilësi qyteti nga sheshi “Skënderbej” deri këtu te ‘21”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen bashkëpunues dhe të mirëmbajnë investimet publike.

Ai i kërkoi kërkoi prej banorëve që të zgjedhin administratorët e tyre në mënyrë që të përfitojnë nga skemat për financimin e projekteve që i shërbejnë komunitetit.

Veliaj siguroi se do të vijojë puna për rehabilitimin brenda këtij viti të 50 blloqeve të banimit, duke e çuar në total numrin e tyre në 150. “Unë jam shumë optimist për Tiranën, më e mira është përpara. Ne kemi bërë deri tani 100 blloqe, kemi 50 për të bërë këtë vit, për ta çuar në 150 blloqe dhe ndërhyrje të Bashkisë së Tiranës. Ne do të vazhdojmë me këto projekte në lagje gjatë gjithë muajit gusht”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj risiguroi sot qytetarët se brenda 5 viteve të ardhshme, kryeqyteti do të furnizohet me ujë të pijshëm 24 orë, bazuar edhe ne planin e investimeve te Ujësjellës-Kanalizimeve, i cili do t’i hapë rrugën investimeve të mëdha e të nevojshme për mospërsëritjen e situatave të emergjencës.

Kryebashkiaku deklaroi se fokusi i punës së Bashkisë së Tiranës do të jetë dhe sistemimi i shkollave, kopshteve dhe çerdheve, ndërsa bëri të ditur se 4 shkolla të reja janë gati që të hapen për vitin e ri shkollor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat