Vendimet e këshillit bashkiak Tiranë përplasin PD-LSI

Tirana

Vendimet e këshillit bashkiak Tiranë përplasin PD-LSI

Më: 28 korrik 2017 Në ora: 07:59
Bashkia Tiranë

Është i njëjti grusht politikanësh të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga qytetarët.

Rritja e çmimit të ujit me dy votat e këshilltarëve të LSI-së ka prishur marrëdhëniet e mira që dukej në horizont se mund të nisnin mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrime. Sipas demokratëve rritja e çmimit të ujit dhe koncesionet e shkollës është pazar i pastër që LSI ka bërë me Erjon Veliajn.

Përmes facebook-ut, kreu i Partisë Demokratike akuzoi PS-LSI se përfaqësojnë një grusht politikanësh të korruptuar, që vjedhin qytetarët.

“Pazareve të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave iu bashkuan dje edhe PDIU dhe LSI. Është i njëjti grusht politikanësh të kapur dhe të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve. Loja e tyre vazhdon njësoj si më parë, vetëm se tani në role të reja”, theksoi Basha. Madje demokratët kanë publikuar dhe shifrat se sa kanë kushtuar votat e këshilltarëve të LSI-së. “Vota e bashkimit PS-LSI vlen 240 milionë euro. Kjo është e vetmja e vërtetë nga mbledhja e Këshillit Bashkiak Tiranë. 180 milionë euro për UKT-në dhe 60 milionë të tjerë për koncesionin e shkollave të Tiranës. Qindra milion euro të qytetarëve të Tiranës për interesat okulte të Erion Velisë. Por çfarë ndodhi konkretisht. Në mungesë totale transparence, të martën në mbrëmje, këshilltarët bashkiakë të PS dhe të LSI organizuan një takim të përbashkët pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile e as më pak të këshilltarëve demokratë mbi çështjen e ngritjes së tarifës së ujit. Pas këtij takimi, këshilltarët demokratë lëshuan disa thirrje publike drejtuar të gjitha forcave politike në këshill, e në veçanti LSI-së, të mos legjitimojnë këtë aferë okulte të Veliajt. Thirrja jonë ishte fare e thjeshtë : 19 votat tona me 13 votat e LSI përbënin shumicën e vendimmarrjes së këshillit (32 nga 61 këshilltarë në total)”, thuhet në deklaratën e këshilltarëve të PDsë. Pavarësisht se dy propozimet e PS-së kanë kaluar, demokratët janë të bindur se mund të ndalen.

“Ne mund të bllokonim Erion Velinë por pazari 240 milionë eurosh rezultoi të ishte më i fortë. Të mërkurën, në orën 18:00, pavarësisht thirrjes sonë, LSI luajti me dy porta. Veliajt ju dha vota, popullit ju dha fatura. Dy këshilltarë të saj, Genta Mezini dhe Agim Kraja qëndruan në sallë dhe siguruan kuorumin e nevojshëm duke ju shtuar 25 votave të PS, 3 të PDIU dhe 1 vote të FRPD. Ndërkohë, ende pa filluar mbledhja e Këshillit, nga salla kishin dalur të gjithë këshilltarët demokratë si dhe shumica e këshilltarëve të LSI. E ripërsëris, të 19 këshilltarët demokratë kanë bojkotuar që në fillim seancën e djeshme duke mos marrë pjesë në asnjë votim apo diskutim, përfshirë rendin e ditës apo votimin e kredive të buta siç u shpif së fundmi. Vota e bashkimit PS/LSI vlente 240 milion euro. Kaq duhet mbajtur mend”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë kreu i këshilltarëve të djathtë në bashkinë e Tiranës, Leonard Ollit në një prononcim për “Shekullin” tha se LSI duhet të kishte mbajtur një qëndrim për dy këshilltarë, nëse ishin me urdhër partie apo sipas kokës së tyre. Olli tha se rritja e çmimit të ujit u miratua me votat e PS, LSI dhe PDIU. “Nëse ju do të shkoni në sekretarin e këshilli bashkaik do të gjeni që procedurat në fjalë janë vonuar nga 25 vota të këshilltarëve të PS, 3 PDIU, dhe 2 të LSI. A janë përjashtuar sot dy këshilltarët e LSI? A kanë qenë deri në momentin që kanë votuar këshilltarë të LSI, çfarë të keqe do të kishte LSI kur unë kam kërkuar në orën 19;30 jashtë sallës të prononcohet qartë dhe pa ekuivok nëse ata dy këshilltarë ishin me urdhër të partisë apo ishin në kokë të tyre, vetëm sot u akuzohen dy këshilltarët që kanë kryer një veprim korruptiv”, tha Olli, duke shtuar më tej se LSI i kishin kërkuar që të bojkotonte seancën e këshillit bashkiak, por për këtë nuk kishin arritur në një dakordësi.

“Në ditën e votimit i kemi kërkuar që në mëngjes herët LSI një qëndrim të pastër dhe paekuivok në raport me këtë çështje”, theksoi Olli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat