Kodi i ri Penal/ Ja ndarja e re organizative e gjyqtarëve dhe gjykatave

Tirana

Kodi i ri Penal/ Ja ndarja e re organizative e gjyqtarëve dhe gjykatave

Më: 26 gusht 2017 Në ora: 22:24
Gjykata e Tiranës

Hyrja në fuqi, më datë 1 gusht, e ndryshimeve ligjore të Kodit të Procedurës Penale u parapri nga një riorganizim i ndarjes në seksione të gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës.

Shkak për këtë u bënë edhe prania e figurave të reja procedurale në kodin e ndryshuar, si ajo e gjyqtarit të hetimeve paraprake. Përmes një urdhri të firmosur në muajin korrik, kryegjyqtarja e Tiranës, Enkeledi Hajro, riorganizoi ndarjen e gjyqtarëve në seksione brenda dhomave përbërëse të Gjykatës së Tiranës.

Sipas urdhrit, riorganizimi kishte si qëllim mirëorganizimin e punës në gjykatë, harmonizimin e praktikës gjyqësore dhe përvojës profesionale mes gjyqtarëve.

Duke përmendur hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore për ligjin e ri të falimentit, në urdhër theksohej se “ndryshimet që ka pësuar Kodi i Procedurës Penale, të cilat hyjnë në fuqi më 1 gusht 2017 dhe pikërisht për shkak të risisë që sjellin në organizimin dhe funksionimin e Dhomës Penale të kësaj gjykate, diktojnë nevojën urgjente të shtimit të numrit të gjyqtarëve në këtë dhomë”.

Bazuar në këtë urdhër, në Dhomën Civile janë caktuar 6 gjyqtarë në seksionin tregtar, 36 gjyqtarë në seksionin civil dhe 9 gjyqtarë në seksionin familjar. Në Dhomën Penale, sipas urdhrit, janë përcaktuar 24 gjyqtarë, si dhe 6 gjyqtarë në seksionin e të miturve.

Pas hyrjes në fuqi të ligjit, figura e re e gjyqtarit të hetimeve paraprake, u kundërshtua në Kushtetuese nga Unioni i Prokurorëve, të cilët pretendojnë cenim të atributeve që u njeh ligji si organ i ndjekjes penale.

GJYQTARI I HETIMIT PARAPRAK

Gjyqtari i hetimit paraprak është një nga risitë e ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale. Ata janë gjyqtarë, të cilët do të mbikëqyrin dhe ligjërojnë hap pas hapi çdo veprim procedural të prokurorit gjatë fazës së hetimit. Janë 12 gjyqtarë, ata që do të përbëjnë këtë strukturë, gjyqtarë që gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në gjykatë, nuk do të jenë më pjesë e trupave që shqyrtojnë çështje në themel.

Sipas urdhrit të kryegjyqtares Hajro, Seksioni i Hetimeve dhe Seancës Paraprake përbëhet nga gjyqtarët: Kujtim Vraniçi (Enkeledi Hajro), Lazer Sallaku, Erjon Bani, Rexhina Merlika, Altin Abdiu, Ardian Kalia, Albert Meçe, Bledar Abdullai, Artan Gjermeni, Sokol Tona, Oltjona Goxha dhe Besnik Hoxha. R

eferuar urdhrit, ky seksion do të funksionojë mbi bazë rotacioni me afat një vit. Një nga faktet që pritet të ngjallë debat, gjatë vënies në jetë të këtij urdhri, është fakti i mospërdorimit të shortit elektronik, por i një rendi alfabetik të shkronjës së parë të mbiemrit të gjyqtarëve, shkruan Panorama.

“Me krijimin e Seksionit të Hetimeve dhe Seancës Paraprake, duke filluar nga data 1 shtator 2017, të gjitha masat e sigurimit dhe kërkesat gjatë hetimeve paraprake do të gjykohen nga ky seksion, duke proceduar me listën e gjyqtarëve sipas rendit alfabetik me bazë mbiemrin. Gjyqtarët që gjykojnë kërkesat në fazën e hetimeve paraprake janë papajtueshëm të gjykojnë kërkesat në fazën e seancës paraprake”, thuhej në urdhër.

FAZA TRANZITORE

Sipas urdhrit, kërkesat dhe masat e sigurimit që janë gjykuar më parë nga gjyqtarët e Dhomës Civile do të vazhdojnë të gjykohen nga të njëjtët gjyqtarë deri në përfundimin e kësaj faze procedurale transitore. Ndërsa kërkesat gjatë fazës së seancës paraprake, do të shqyrtohen nga seksioni i hetimeve dhe i seancës paraprake.

Më tej, në urdhër përcaktohej se “Përjashtimisht, deri në plotësimin e periudhës kalimtare dhe funksionimin e plotë të infrastrukturës që kërkon organizimi dhe funksionimi i dhomës penale, sipas ndryshimeve të reja të Kodit të Procedurës Penale, gjyqtarët e dhomës civile do të përfshihen në gjykimin e masave të sigurimit vetëm si gjyqtarë të hetimit paraprak, deri më 1 shtator 2017”.

Urdhri, dyshimi i ekspertëve: Gjykata mund të futet në kolaps

Urdhri i kreut të Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro, në lidhje me ndarjen e gjyqtarëve në ata të themelit dhe në ata të hetimit paraprak, është lexuar në mënyrë të ndryshme nga ana e juristëve.

Në debatin publik nuk mungojnë edhe zërat që parashikojnë se kjo ndarje, jo vetëm rrezikon të fusë në kolaps shqyrtimin e dosjeve në Gjykatën e Tiranës, por edhe që e konsiderojnë si shkelje të legjislacionit.

Një nga këto zëra është ai i profesorit të Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, sipas të cilit, caktimi i 12 gjyqtarëve për hetimet e seancës paraprake dhe shmangia e shortit për përzgjedhjen e tyre, është një nga abuzimet e urdhrit.

“Pa shortin elektronik ky gjyqtar është i paligjshëm, e para. E dyta, ndarja e gjyqtarëve në themeli dhe gjyqtarë të seancës paraprake nuk është koncepti i Kodit të Procedurës Penale. Janë të gjithë gjyqtarë, që gjykojnë në themel. Janë dhe gjyqtarë që mund të gjykojnë si gjyqtarë të hetimeve paraprake. Të ndash Gjykatën në dy pjesë, e bllokon Gjykatën. E para, paracakton një grup gjyqtarësh që do merren me hetimin paraprak dhe një grup gjyqtarësh që do merret me themelin, kjo është plotësisht e gabuar dhe e fut Gjykatën në kolaps”, u shpreh në një prononcim për “Top Channel”, Prof. Dr. Artan Hoxha. Me tej, profesori i drejtësisë ngre dyshime se situata në fjalë mund të lërë shteg për afera korruptive.

“Ky është një moment shumë i rrezikshëm për të vënë në dyshim procesin, deri në mundësi për korrupsion dhe për veprime, të cilat nuk përputhen me ligjin. Një prokuror mund ta çojë dosjen për pushim tek gjyqtari që ai e di”, deklaroi Hoxha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat