Tiranë, 10 çerdhe të reja

Tirana

Tiranë, 10 çerdhe të reja

Më: 31 gusht 2017 Në ora: 19:52
Ilustrim

Përmirësimi i infrastrukturës dhe i cilësisë së shërbimit në çerdhet publike ka ndryshuar mendësinë e prindërve, të cilët zgjedhin shërbimin publik përpara atij privat, kërkesa që kanë detyruar Bashkinë e Tiranës të marrë masa të tjera.

“Për këtë vit do të jenë deri në 3 mijë fëmijë që do të frekuentojnë çerdhet e Tiranës, ne kemi rreth 8 mijë aplikime. Gjatë muajit shtator, sa herë të ketë mundësi, duke ruajtur cilësinë e shërbimit, që do të thotë raporti 1-7, pra një edukatore për 7 fëmijë, do të ketë regjistrime gjatë gjithë vitit”, thotë Drejtorja e Çerdheve në Bashkinë e Tiranës, Zhaneta Beqiri.

Madje, për t’ju përgjigjur fluksit të aplikimeve, Bashkia e Tiranës premton ambiente të reja.

"Për të plotësuar sa më shumë nevojat ne jemi duke parë mundësinë e marrjes së ambienteve me qira. Jemi duke hapur 1 çerdhe të re te Komuna e Parisit, gjithashtu ka mbaruar ndërtimi i një çerdheje dhe kopështi të integruar në Njësinë nr.4 dhe është planifikuar ndërtimi i 10 kopshteve të reja në zonat ku ka më shumë kërkesa", thotë Beqiri.

Sa i takon diskutimit mbi sigurinë e fëmijëve në çerdhe, pra nëse duhen vendosur ose jo kamera, drejtoresha Beqiri ka një shpjegim.

"Ne kemi bërë takime në të gjitha çerdhet me bordet e prindërve për të marrë opinion e tyre për kamerat, por ato kanë besim te shërbimi jonë, megjithatë në disa çerdhe ka kamera, por nuk është kamera ajo që garanton shërbim cilësor dhe të sigurt", deklaron ajo.

Për të katërtin vit radhazi, prioritet në regjistrime kanë fëmijë nga familje në nevojë, me prindër me aftësi të kufizuar dhe fëmijët e nënave kryefamiljare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat