Maratona e Tiranës, interesim nga e gjithë bota. Arrin në 700 numri i të regjistruarve

Tirana

Maratona e Tiranës, interesim nga e gjithë bota. Arrin në 700 numri i të regjistruarve

Më: 6 shtator 2017 Në ora: 15:47
Ilustrim

Për të dytin vit radhazi Tirana do të kthehet në kryeqytetin e të gjithë vrapuesve profesionist dhe atyre amatorë që do të marrin pjesë në Maratonën e Tiranës që do të mbahet më 15 Tetor.

Tashmë edhe si një organizim i certifikuar zyrtarisht dhe i njohur ndërkombëtarisht nga International Association of Athletics Federations dhe Association of International Marathon and Distance Race, Maratona e Tiranës ka nisur përgatitjet, ndërsa në vetëm pak ditë nga hapja e aplikimeve numri i atyre që janë riregjistruar për të marrë pjesë në të ka arritur në mbi 700, ndërkohë që numri i të interesuarve është akoma më i madh.

 Burime nga grupi organizator pranë Bashkisë së Tiranës bëjnë të ditur se aplikantët që janë regjistruar deri më tani janë sportistë profesionistë, por një numër i madh i tyre janë edhe vrapues amator që ushtrojnë vrapimin individualisht. Një interes të madh mësohet se ka pasur edhe nga shtetas të huaj, të cilët gjithashtu kanë shfrytëzuar mundësitë e ofruara online për tu regjistruar në këtë ngjarje sportive me përmasa ndërkombëtare.  
 
Itinerari i ri do të përshkruajë pikat më atraktive të qytetit të Tiranës duke mundësuar në këtë mënyrë edhe një promovim të vlerave turistike që ofron kryeqyteti. Ashtu si edhe në vitin e shkuar Maratona e Tiranës do të ofrojë mundësi garimi për të gjitha kategoritë në distanca dhe itinerare të ndryshme, ku gjithkush mund të provojë veten, duke përcjellë në të njëjtën kohë edhe mesazhin për një jetë të shëndetshme përmes sportit.
 
Edhe këtë vit Maratona e Tiranës do të garojë në disa kategori si: “Fun Run” ku nxënës të shkollave Tiranës do të vrapojnë në rrugët e Tiranës, ku veç mesazhit për një jetë më të shëndetshme përmes sportit synohet që të evidentohen edhe ata që mund të jenë atletët e ardhshëm. Maratona duke përmbushur të gjitha kriteret ndërkombëtare, do të ofrojë mundësi edhe për personat me aftësi ndryshe, të cilët do të garojnë në kategorinë “We too”. Përveç këtyre dy kategorive amatore dhe me distanca të kufizuara, Maratona e Tiranës do jetë një sfidë edhe për sportistët e vërtetë të cilët do të garojnë në “Half Marathon” (21, 0975 km) dhe “Tirana 10K”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat