Një park i ri pranë Piramidës së Tiranës

Tirana

Një park i ri pranë Piramidës së Tiranës

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 20:07
Ilustrim

Bashkia e Tiranës përfundoi ndërtimin nga e para të këndit të lojërave dhe sheshit rekreativ që gjendet pranë Piramidës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet e kryera, ndërsa theksoi ky është këndi i 24 dhe një nga më të bukurit që është realizuar në këto dy vite nga Bashkia e Tiranës.

“Kemi përuruar disa nga këndet e lodrave që kemi bërë nëpër Tiranë, por ky është pa dyshim një nga më të bukurit. Ndodhet në pjesën më të rëndësishme të qytetit, mbrapa Piramidës, një ndërtesë ikonë e Tiranës. Por, harrojmë se përveç bankës, Piramidës, qeverisë, këtu ka edhe banorë, edhe njerëz të grupmoshave të ndryshme, por sidomos fëmijët që nuk janë në marrëdhënie pune as në bankë, as në qeveri, as tek piramida apo të moshuarit që janë në pension, nuk e kanë hapësirën e tyre në këtë komunitet që ka kaq shumë jetë. Ndaj më në fund edhe kjo pjesë e komunitetit që nuk është në punë, pra fëmijët dhe pensionistët, kanë një ambient fantastik”, u shpreh Veliaj.

Ai bëri të ditur se ky është vetëm projekti i parë i ndërhyrjeve në zonën e Piramidës, pasi Bashkia e Tiranës ka parashikuar edhe një sërë ndërhyrjesh të tjera që synojnë ta kthejnë atë në një qendër të kulturës dhe për të rinjtë.

“Kemi filluar ndërhyrjet nga jashtë për ta transformuar Piramidën edhe nga brenda në një qendër të madhe kulturore, kryesisht me fokus të rinjtë, për ata që duan të merren me teknologjinë e informacionit, që duan të merren me art, me libra, kinematografi, teatër”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se transformimi i Piramidës do të fillojë brenda këtij viti, ndërsa arkitektë të njohur vendas dhe të huaj po punojnë për projektin. “Arkitekti i njohur Winy Maas, i cili ka bërë disa nga kryevepra në botë, i është bashkuar ekipit tonë për ta sjellë në platformën finale propozimin për transformimin e Piramidës. Nga një “vrimë e zezë” si nga jashtë edhe nga brenda, Piramida do të kthehet në një burim energjie”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat