Ujë të padezinfektuar për Tiranën

Tirana

Ujë të padezinfektuar për Tiranën

Më: 10 tetor 2017 Në ora: 07:35

Thellohet skandali me ujin e pijshëm në Tiranë. Dje “Shekulli” solli në vëmendje një rast të kapur rishtas nga UKT për gjetjen e klorit të skaduar në magazinën pranë stacionit të pompave në Brar, ndërsa sot sjell dokumente që tregojnë se depot e ujit nuk janë dezinfektuar me klor. Këtë herë bëhet fjalë për shkelje ligjore, të dala nga një inspektim rutinë i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, në depon e ujit Daias, Petrelë. Gjetjet e inspektoratit janë të tmerrshme, teksa pas analizës që i është bërë mostrave të ujit të pijshëm është konstatuar mosklorinimi i tij. Në dokumentet që disponon gazeta, rezultatet e analizave janë nxjerrë në 23 gusht të këtij viti, ndërkohë që për këtë abuzim të rëndë, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, është ndëshkuar me gjobë në vlerën 500 000 lekë. Një inxhinier ujërash me përvojë në ndërmarrjen e Ujërave dhe në Ujësjellës thotë se “klorifikimi i ujit bëhet për të vrarë bakteret dhe mikrobet e tjera dhe në veçanti klorifikimi përdoret për të ruajtur përhapjen e sëmundjeve nga mikroorganizmat ose mikrobet si kolera, dizenteria dhe tifo”.

Shkresa
Pas verifikimit të këtij skandali nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Departamenti i Sektorit të Laboratorit “dyshon” se mosklorinimi i ujit në një ditë të muajit gusht nuk është rast unik, dhe për këtë ka kërkuar nga drejtoria rajonale analizat tërësore të ujit që nga muaji janar deri në muajin gusht. Në vendimin e inspektimit të ISHSH-së, pasi është hartuar procesverbali i plotë i inspektimit konkludohet si më poshtë: “Grupi i punës, pasi realizoi inspektimin dhe hartoi procesverbalin e inspektimit në datë 23.08.2017, në bazë të tij dhe kontestimeve të subjektit gjeti mungesë të klorinimit të ujit të pijshëm si shkelje e kërkesave ligjore. Për shkak të shkeljeve të konstatuara të kërkesave ligjore të subjektit të inspektimit, në mbështetje të ligjit 7643, ato klasifikohen si kundërvajtje administrative dhe parashikohet dënimi administrativ kryesor, gjobë 500 000 lekë dhe dënimi administrativ plotësues, korrigjim i shkeljeve të konstatuara dhe eliminimi pasojave të tyre në një afat kohor të arsyeshëm”. Ndërkohë, shkresa e dytë e datës 08.09. 2017 e Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse, duke iu drejtuar drejtorisë rajonale kërkon “argumente dhe fakte nëse konstatimi i ISHSH-së është i vërtetë dhe nëse po, kërkojmë arsyetimin sipas ‘rregullores së brendshme’, pse nuk është kryer klorinimi i ujit”. Departamenti i vë kushte drejtorisë rajonale, që ta bëjë këtë sa më parë, dhe kjo me të drejtë, pasi shpreson që me ankimimin të anulojë gjobën.
 

Denoncimi
Mungesa e klorinimit të ujit edhe pse një rast abuziv, nuk është më “i rëndi”, në veprimtarinë e Ujësjellësit, Tiranë. Konsumimi i ujit të pa klorinuar, sipas ekspertëve mund të shkatojë kolerë e tifo. Konsumimi i ujit të përzierë me klor të skaduar mund të shkaktojë çrregullime hormonale, anemi, diabet e kancer. Këto janë gjetjet në vetëm dy nga 111 depot e Tiranës. Por, abuzimi bëhet drithërues, teksa një qytetar denoncon se depoja e Vaqarrit monitorohet nga roja i shërbimit vetëm gjatë paradites, ndërkohë që aty paga ndahet për tre turne. Po kështu, i njëjti fenomen është vënë re edhe në depon e Linzës, Baldushkut, Krrabës. Depoja e Zall-Herrit është tërësisht e rrënuar, ndërkohë, që në shumë depo dhe stacione pompash të tjera, si Mëzezi e Tapiza që ndodhën në anë të rrugës, rreziku është edhe më i madh, pasi mjafton një dorë e papërgjegjshme, e cila mund të helmojë gjithë popullatën. Funksionimi i UKT-së në këtë situatë, merr përmasat e një superskandali që duhet hetuar, pasi ka rrezikuar seriozisht jetët e njerëzve, edhe pse rregullorja e përcakton qartë se si duhet të ruhen, mbrohen dhe dezinfektohen depot e ujit.
 

Rregullorja
Klorinuesi i stacionit të Pompimit merr dhe bën dorëzimin e detyrës me proces-verbal, duke nënshkruar rregullisht në të; b) Me marrjen e turnit duhet të kontrollojë prurjet e ujit, pajisjet e dezinfektimit, dozën e caktuar, sasinë e klorit, raportin e përqindjes së klorit, inventarit fizik etj.; c) Doza që duhet të përdoret për dezinfektim përdoret prej tij vetëm pasi të jetë dhënë me shkrim nga përgjegjësi i laboratorit të shoqërisë. d) Klorinuesi ka për detyrë të vijë në punë 15 minuta përpara fillimit të turnit për t’u njohur më mirë me marrjen dhe zbatimin e detyrës ditore. e) Punonjësi klorinues nuk mund të largohet gjatë shërbimit pa u zëvendësuar nga përgjegjësi. f) Gjatë shërbimit, ai është i detyruar që klorinimin ta bëjë të pandërprerë dhe të njëtrajtshëm, duke pasur parasysh që me ndryshimin e prurjeve të ujit, të ndryshojë sasinë e hipoklorit. g) Të mbajë të pastër vendin e punës për të mos sjellë asnjë ndotje në depo gjatë procesit të dezinfektimit. h) Të mos bëjë dorëzimin e detyrës te persona të tjerë të paautorizuar.

Nga janari çmimi i ujit rritet me 40 për qind
Pas zgjedhjeve të 25 qershorit, bashkia e Tiranës nisi një fushatë agresive kundër lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm, i cili u finalizua me një mbledhje farsë, që do të rëndojë xhepat e qytetarëve dhe bizneseve. Në mbledhjen e datës 27 korrik, si të mos mjaftojnë gjithë problemet dhe abuzimet që bëhen, bashkia vendosi rritjen e çmimit të ujit nga 45 lek në 65 lek/m3. Vendimi që hyn në fuqi nga 1 janari 2018, përcakton se tarifat do të ndryshojnë në të gjithë komponentët e secilës kategori konsumatori duke u bazuar në shitjet e ujit dhe normat e arkëtimit, të cilat rriten nga 90 për qind në vitin 2017 në 91 për qind në vitin 2018”. Tarifat rriten edhe për furrat e bukës apo buxhetorët. Sipas vendimit, furrat e bukës do të paguajnë nga 95 lekë/m3 që është tarifa aktuale në 130 lek/m3. Bashkia ka bërë edhe analizën e saj për të argumentuar rritjen e tarifave. Element i rëndësishëm i kësaj analize është studimi i statistikave mbi popullsinë. “Bazuar në të dhënat e INSTAT dhe regjistrit civil në ish NJQV (Bashkia Tiranë), popullsia totale është 832,302 brenda kufijve administrativë të Bashkisë. Mbulimi është 85 për qind (Tirana e madhe) ose 707.800 banorë dhe objektivi është arritja e mbulimit mesatar prej 95.3 për qind UKT”, thuhet në relacion. Analiza e kërkesës për ujë ka parashikuar ndryshimin në nivelin e prodhimit të ujit deri në vitin 2021. “Prodhimi aktual është 106 milionë/m³ dhe deri në vitin 2021 parashikohet të shkojë në 62 milionë/m³ që ndryshe përkthehet ulje prej 42 për qind. Edhe pse nga bashkia u vendos të kishte një konsultim të gjerë me publikun, deri më tani nuk ka asnjë rezultat apo raport për mendimin qytetar. Kjo për faktin sepse asnjë qytetar nuk është pyetur, edhe pse procedura i linte hapësirë dhe kohë bashkisë, deri në miratimin final të vendimit nga Enti Rregullator i Ujit.

Kriza

Ujë të (pa)pijshëm për 90% të familjeve

Nga 1 milionë banorë që ka Tirana, afro 650 mijë e zgjidhin “hallin” duke mbushur ujë atje ku gjejnë. UKT nuk i furnizon dot më. Ato 40 autobote që UKT pretendon se i ka hedhur në veprim për të furnizuar lagjet e Tiranës që janë pa ujë, në fakt nuk furnizojnë, mbasi sipas banorëve, nuk kanë parë autobote që t’’u çojnë ujë tek lagja e tek pallati, përkundrazi siç shprehin, ata i paguajnë privatisht autobotet, ose furnizohen me ujë me mjetet dhe… krahët e tyre. Në qytete janë afro 90% e familjeve me depozita uji, ndërsa në fshat janë afro 60% e familjeve. Nga mungesa e ujit dhe mashtrimet për ndërtim ujësjellësish e për shkak të ujësjellësve që nuk funksionojnë, banorët në 30% të pallateve në qytete dhe në 85% të fshatrave u janë rikthyer hapjes së puseve e baseneve ujore, nëpër oborret e shtëpive.

Depot dhe stacionet e pompave

1. Depo uji 100 m3 Shkozë
2. Depo uji 100 M3, Shkoze, Farkë
3. Stacioni i Pompave Brar .
4. Poligoni i Materialeve te Ndërtimit, Bregu i Lumit.
5. Pusi 306, Bërxull,Tiranë
6. Depo Uji Fshati Ferraj Komuna Dajt.
7. Stacioni i Pompës Fshati Mullet, Komuna Petrelë.
8. Depo Uji Sharrë, Komuna Vaqarr.
9. Stacioni i Pompës, Fshati Lagje e Re Vaqarr.
10. Stacioni i Pompës Sharrë, Komuna Vaqarr
11. Depo uji Fshati Kodër, Komuna Vaqarr.
12. Depo uji Fshati Prush. Komuna Vaqarr.
13. Depo uji Fshati Laknas, Bashkia Kamez.
14. Depo uji Fshati Gjokaj, Bashkia Vorë.
15. Stacioni i Pompes , Fshati Gjokaj, Bashkia Vorë.
16. Depo ujit të Vjetër, Vorë
17. Depo iji e Re, Vorë
18. Stacioni i Pompës, Fshati Muçaj, Bashkia Vorë.
19. Depo uji Fshati Picar, Bashkia Vore.
20. Depo uji Fshati Kashar, Komuna Kashar.
21. Stacioni i Pojmpës Fshati Mjull-Bathore, Komuna Farë.
22. Depo uji Fshati Mjull-Bathore, Komuna Farkq.
23. Depo uji Fshati Sauk i Ri, Komuna Farkë.
24. Depo uji Fshati Prezë, Kala
25. Depo uji Fshati Ndërmjetës, Komuna Prezë.
26. Stacioni i Pompës Fshati Ndërmjetës, Komuna Prezë.
27. Depo uji Fshati Lanabregas, Komuna Dajt.
28. Depo uji Fshati Petrelë, Komuna Petrelë, etj.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat