Autobusi i parë elektrik, Kombinat-Kinostudio. Kur nis testimi i kompanisë polake

Tirana

Autobusi i parë elektrik, Kombinat-Kinostudio. Kur nis testimi i kompanisë polake

Më: 10 tetor 2017 Në ora: 20:29
Autobus urban elektrik

Një autobus urban elektrik për herë të parë do të testohet në linjën Kombinat-Kinostudio për të parë mundësinë e aplikimit të këtij mjeti në transportin e kryeqytetit. Kompania polake e autobusëve ka shprehur interes për këtë risi, ku pas testimeve dhe funksionalitetit konkrete në rrugë, do të dalin edhe kostot të cilat do të shqyrtohen nga bashkia e Tiranës në vendimmarrjen finale.

“Është një kompani polake ‘Solaris’ e cila ka gat 35% të tregut sot të autobusëve elektrik në Europë që ka shprehur interesin për të sjellë një autobus për të bërë testimet radhës, pasi duhet bërë testimi përkatës lidhur me funksionalitetin, anën teknike, stacionet, baterinë, kohën që ajo mban dhe kemi zgjedhur linjën Kombinat-Kinostudio për të bërë testimin. Linja Kombinat-Kinostudio është një nga linjat që ka ngarkesën më të madhe të fluksit të pasagjerëve. Pasi të vlerësojmë kostot do të përcaktojmë formën e organizmit dhe formën se si do ta bëjmë këtë punë. Besoj brenda muajit tetor, ne jemi në diskutimet e fundit, besoj brenda datës 24-25.”, tha Enton Punavia, Drejtori i Transportit, në Bashkianë e Tiranës.

Kompania polake e autobusëve 100% elektrikë nuk është e vetmja që ka shprehur interes pasi në këtë fushë janë edhe disa kompani të tjera me teknologji elektrike por edhe hibride të cilat do të kryejnë teste në Tiranë për tja bërë më të lehtë vendimmarrjen bashkisë për një transformim të këtij shërbimi me norma europiane.

“Nuk është vetëm një kompani kineze që ka shprehur interes por janë edhe kompani të tjera pasi pjesa elektrike e hibride sot në Europë është në zhvillim e sipër. Jemi duke parë dhe vlerësuar, besoj do të ketë edhe kompani të tjera të cilat do të vijnë dhe bëjnë edhe ato testet e tyre, në funksion të testeve do të përcaktojmë teknologjinë dhe se si do të jenë hapat e mëtejshëm që bashkia do të ndërmarrë”, tha Punavia.

Por a duhet të ndihen të kërcënuara kompanitë që operojnë sot në linjat urbane të Tiranës?

“Nuk besoj se flitet për kompani të rrezikuara, këtu flitet për të parë dhe përcaktuar kushtet teknike, më pas për të përcaktuar kostot e saj, pastaj bashkia do të përcaktojë kushtet, këtu nuk flitet për kompani të rrezikuara. Por nëse kompanitë në një fazë tjetër nuk pranojnë kushtet që bashkia u vendos, ky është diskutim që bëhet në një fazë tjetër.”, theksoi ai.

Dy karikues elektrikë në pikat fundore të linjës në Kombinat dhe Kinostudio do të karikojnë autobusët urbanë të cilët parashikohen që këtë proces ta kryejnë brenda 6 minutave. Tirana njihet si një ndër qytete më të ndotur në vend ku këmbëngulja në ofrimin e shërbimeve alternativë ndaj karburanteve do të thotë më pak ndotje, më pak zhurma dhe më shumë komoditet në udhëtim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat