Tirana në fokusin e prestigjiozes “Vogue”: Pse duhet ta zgjidhni si destinacion?

Tirana

Tirana në fokusin e prestigjiozes “Vogue”: Pse duhet ta zgjidhni si destinacion?

Më: 14 tetor 2017 Në ora: 11:32
Pamje nga Tirana

Revista prestigjioze e modës dhe stilit të jetës “Vogue” i ka kushtuar një artikull kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, të cilin e cilëson si një ndër vendet me potencialin për t’u kthyer ndër destinacionet e preferuara të turistëve të huaj.

Prestigjiozja amerikane, teksa kthehet pas në kohë në një pjesë të artikullit duke kujtuar kohën e komunizmit nën udhëheqjen e diktatorit Enver Hoxha, thekson se është pikërisht ky izolim dhe shtypje e popullit që i ka bërë të rinjtë e sotëm kaq energjikë dhe me dëshirë për të jetuar, duke u frymëzuar nga vendet e zhvilluara.

Pozitiviteti, lumturia e ndonjëherë edhe ‘moskokëçarja’ është e prekshme nëpër restorantet, baret dhe kafenetë në lagjet e Tiranës.

Edhe pse tingullon çuditshëm, ish-fortesa e komunizmit është një vend i “gjallë” dhe i përballueshëm, me një popull mendjehapur dhe miqësor. Interesi për vendet e Ballkanit është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, me turistët kuriozë që tashmë rregullisht kërkojnë qetësinë e detit Adriatik si dhe qytetet mesjetare me mure guri si Dubrovniku në Kroaci apo Kotorri në Mal të Zi.

Tirana nuk mishëron një tërheqje të tillë tradicionale, piktoreske. Por në vend të kësaj, ajo të impresionon si një qendër shpirtërore, urbane me një personalitet të hekurt të formuar nga një histori e trazuar.

Ashtu si Sarajeva që tejkaloi mizoritë e viteve ’90, edhe Shqipëria ka lënë pas krahëve dekada tmerri dhe izolimi duke hedhur sytë drejt së ardhmes. Sot, lagjja e njohur si “Blloku”, pulson nga argëtimet e të rinjve të veshur mirë. Ekziston aty një atmosferë e zjarrtë dhe relaksi, që të sjell në kujtesë qytete si Athina e Palermo. Megjithatë, gjatë viteve të komunizmit, “Blloku” ishte një zonë e ndaluar për cilindo që nuk ishte pjesë e elitës së partisë.

Deri në rënien e komunizmit në vitin 1991, rajoni nuk ishte i huaj me socializmin. Por Shqipëria, nën udhëheqjen e diktatorit stalinist-maoist, mësuesit të kthyer në diktator, Enver Hoxha, ishte një vend i izoluar dhe shtypës. Hoxha udhëhoqi Shqipërinë për më shumë se 40 vjet deri në vdekjen e tij në vitin 1985, dhe gjatë kësaj kohe burgosi, torturoi e vrau rreth 100 mijë vetë.

Duke qenë jashtëzakonisht paranojak, ai urdhëroi ndërtimin e më shumë se 750 mijë bunkerëve me qëllim për reduktimin e frikës së tij kronike nga pushtimi i huaj. Të hedhësh sytë nga e kaluara është thelbësore për të kuptuar Tiranën e ditëve të sotme, dhe një pikënisje kryesore për ta bërë këtë është pikërisht Muzeu Historik Kombëtar në sheshin “Skënderbej”.

Duke parë të shkuarën plot vdekje, tirani dhe spiunazh, ndoshta të qartësohet ideja se pse Tirana është tani një vend kaq bashkëkohor me njerëz të gëzuar. Arsyeja pra, është fakti që më në fund ata po jetojnë jetët e tyre të lirisë dhe kreativiteti, të inspiruar nga vendet me të cilat e kishin të ndaluar të bashkëpunonin për dekada me radhë. Megjithatë, Tirana ende nuk është një parajsë turistike, por pushuesit po e shohin si potencial të mundshëm për të shpenzuar kohën e tyre aty.

Specialistët e tureve të udhëtimit në Europën Qëndrore e Lindore e kanë shtuar Shqipërinë në listën e destinacioneve për t’u vizituar dhe themeluesi i “JayWay Travel” e kupton pse Tirana po tërheq në mënyrë të vrullshme vizitorët. “Ekziston një lloj energjie që të bën të habitesh. Është një qytet i ri në një vend që ka parë jo pak kohë të vështira, por ngrohtësia e mikpritjes së tyre të bën të ndjehesh optimist për të ardhmen,” shprehet ai.

Ushqimi dhe pijet janë elementë jetësore, në kulturën shoqërore të Tiranës. Tirana është esenca e Shqipërisë, thotë një prej guidatorëve shqiptarë, një qytet i gjallë plot energji dhe shpresë. Gjithnjë e më shumë po bëhet një destinacion gastronomik, duke veçuar klimën dhe peisazhet e shumëllojshme të vendit, që të lejon të eksperimentosh me përbërës të ndryshëm si shafrani, gjethet e egra apo mani. “Qasja në produkte të freskëta dhe organike nuk është një luks për ne. Mund të kapim peshk të egër direkt nga deti ose kërpudha nga malet brenda disa orësh,” shpjegon ai që tregon guidën.

Një energji e pashtershme vjen nga të rinjtë, të cilë kanë trashëguar mikëpritjen dhe ngrohtësinë e Ballkanit të kombinuar me shpirtin mesdhetar. Të gjithë të rinjtë e kanë me dëshirë të udhëtojnë dhe të shohin botën, dhe mendojmë se Tirana ka gjithçka për të qenë një destinacion i preferuar. Së bashku me plazhet e rivierës dhe pamjet e habitshme natyrore në pjesën jugperëndimore të vendit, Tirana e zhurmshme është një fillim i këndshëm, për një aventurë bregdetare në Ballkan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat