Nis testimi i autobusit të parë elektrik në Tiranë, ja linjat priten të vendosen

Tirana

Nis testimi i autobusit të parë elektrik në Tiranë, ja linjat priten të vendosen

Më: 26 tetor 2017 Në ora: 14:01
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Pas licencimit të kompanisë së parë të taksive elektrike, në rrugët e kryeqytetit ka nisur edhe testimi i autobusit të parë duke shënuar edhe një hap të rëndësishëm drejt një revolucioni të gjelbër.

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar dhe nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, mori pjesë në testimin e autobusit të parë elektrik në linjën Kinostudio – Kombinat në bashkëpunim me kompaninë polake Solaris, që pritet të ofrojë një shërbim më të mirë për qytetarët, kosto më të ulët dhe njëkohësisht të ulë nivelin e ndotjes në kryeqytet.

Veliaj deklaroi se Tirana ndodhet në avangardë të zhvillimit dhe se përmes transportit të ri elektrik, do të renditet mes kryeqyteteve të para në Europë që ndërmarrin këtë nismë. “Ajo që po ndodh sot në tiranë është ajo që po ndodhte dje edhe në Paris, ku zyrtarët e Bashkisë po testonin dy  autobusë si po performonin në linjat e Parisit. Në vend që ta mbushim Tiranën me kabuj të tramit apo teknologji që i përkasin viteve ’70, tani që kemi vendosur të zhvillohemi, të shkojmë të kapim teknologjinë më moderne, atë që është sot më avangardë. Tirana është avangard. Më vjen mirë që ne jemi në këtë fashë të parë të qyteteve që po shkojnë drejt këtij zhvillimi”, tha Veliaj duke shtuar se ndonëse në fillim nisma të tilla ndezin debate, Bashkia e Tiranës ka treguar se ato kanë prodhuar rezultatet fantastike për kryeqytetin. “Ne sapo licencuam kompaninë e parë të taksive elektrike në Tiranë. Ne kemi disa stacione të karikimit, parkingje nëntokësore.  Të gjithë këto gjëra në thelb janë rezultat i vendimeve guximshme që kanë prodhuar debat, por në kohë të shkurtër ne ia kemi parë hajrin”, tha ai.

Bashkia e Tiranës po planifikon dhe rishikimin e legjislacionit aktual, ndërsa premtoi se në bashkëpunim dhe me qeverinë qendrore, do të krijohen lehtësi që të nxitet përdorimi i transportit elektrik.

Kreu i Bashkisë siguroi se brenda një kohe të shkurtër i gjithë transporti publik do të revolucionarizohet duke u modernizuar me autobusë elektrik. Veliaj u kërkoi operatorëve ekzistues që të modernizojnë flotën e tyre, ndërsa paralajmëroi dhe ngritjen e një flote autobusësh nga vetë bashkia e Tiranës. “Ne do të krijojmë një kompani publike të transportin nëse nuk do të na përgjigjen kompanitë private. Ajo që do të kërkojmë është që në mënyrë graduale, nga 10-20 për qind, do të kërkojmë çdo vit, rikthimin e një pjese të flotës në autobusë elektrik. Asnjë nuk pretendon që të gjithë të ndërrohen brenda vitit, por që të shikojmë kompanitë që kanë bërë porositë, të ndihmojmë si me qeverinë polake, apo me qeveri të tjera. Me kolegët e BERZH jemi atë duke bërë planin e qytetit të gjelbër të Tiranës, ku Tirana është përzgjedhur si një nga qytete pilot. Kështu që edhe BERZH apo të tjera do të kishin interes të financonin operatorët privatë në këtë shndërrim gradual të flotës”, theksoi Veliaj, ndërsa deklaroi se në disa zona të kryeqytetit ka filluar puna për instalimin e pikave të karikimit të automjeteve elektrikë.

Përmirësimi i standardeve, i kushteve dhe i shpejtësisë së shërbimit është vetëm njëra anë e medaljes së transportit publik. Veliaj deklaroi se përmes autobusëve elektrik do të ulet dhe niveli i ndotjes në kryeqytet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat