Nis rikualifikimi i pallateve në njësinë 8, Veliaj: Do ketë investime në çdo cep të Tiranës - Bota Sot
Nis rikualifikimi i pallateve në njësinë 8, Veliaj: Do ketë investime në çdo cep të Tiranës

Tirana

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

Nis rikualifikimi i pallateve në njësinë 8, Veliaj: Do ketë investime në çdo cep të Tiranës

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 13:54
Zona e ish “Frigoriferit” në Njësinë 8

Nga një hapësirë e degraduar, ku në verë mbizotëron pluhuri dhe në dimër balta e lluca, i gjithë blloku i banimit në zonën e ish “Frigoriferit” në Njësinë 8, po shndërrohet në një nga lagjet model të kryeqytetit.

Bashkia e Tiranës ka nisur të zbatojë një tjetër projekt të madh transformues, i cili prek një hapësirë prej 13.2 ha dhe nga ku përfitojnë rreth 8 mijë banorë, si dhe bizneset që operojnë aty. Në nisjen e punimeve mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Ervin Bushati, të cilët vlerësuan se falë këtij investimi i jepet përgjigje një kërkese të përhershme të banorëve të zonës, të cilët edhe pse pak metra larg qendrës, prej vitesh përballen me një infrastrukturë që nuk kishte aspak lidhje me pjesën tjetër të qytetit.

“Jam shumë entuziast që rikthehemi këtu, pak muaj pasi mbaroi fushata e qershorit, ku së bashku me banorët shkelëm këto rrugica, në Rr. “Besa” dhe në disa lagje midis Unazës së Mesme dhe Unazës së Pestë, ose mes zonës së Bregut të Lumit dhe Bulevardit të Ri. Ne nuk mund të kemi një Tiranë që ecën me dy shpejtësi; një Tiranë që ecën me shpejtësi të jashtëzakonshme te zona e Pazarit të Ri dhe që ndihet si pjesë e qendrës, europiane, me turizëm, dhe një Tiranë që është me marsh të parë, me ngadalësinë e viteve të fundit të tranzicionit, ku shumë prej ndërtimeve informale apo zonave tregtare, siç është zona e magazinave dhe zona e ish Frigoriferit, kanë ngelur pas dore. Kështu që, sot e rikthejmë Tiranën me të njëjtën shpejtësi”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se ky projekt do t’i japë zonës jo vetëm rrugë e trotuare më të mira, por punimet që po kryhen kanë të njëjtën cilësi me projektet madhore në Tiranë, siç është sheshi “Skënderbej” apo “Bulevardi i Ri”. “Siç po investojmë me ndriçim LED në Bulevardin kryesor dhe në sheshin “Skënderbej”, do vendosim ndriçim LED edhe këtu; siç do të fusim kabujt në tokë dhe gjithë këtë kukurecin e telave nëntokë në qendër, ashtu do ta bëjmë dhe në periferi, për të punuar me të njëjtën cilësi dhe për të mos iu kthyer disa herë punëve. Sigurisht, kemi hyrë në stinën e dimrit, në stinën e reshjeve, do të bëjmë maksimumin që aq sa na lejon koha të ecim shpejt këtë vit dhe të përfundojmë në gjysmën e parë të vitit tjetër”, tha Veliaj.

Ai kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e banorëve të zonës për vështirësitë që mund të krijohen gjatë zbatimit të projektit, ndërsa bëri të ditur se kjo njësi, ashtu si edhe gjithë njësitë e tjera të Tiranës, do të ketë mundësi që dy vitet e ardhshme të përfitojnë edhe më shumë investime se sa janë bërë në këto dy vitet e para. “Vërtet do ketë pak rrëmujë, baltë dhe llucë derisa të përfundojë puna, por si në çdo shpi ku pasi punohet ka pak tollovi, në fund të ditës marrim një produkt shumë më cilësor. I falenderoj banorët për durimin, ky është vetëm viti ynë i dytë, dhe në dy vitet e tjera kemi një paketë investimesh akoma më të madhe edhe për njësinë 8, por edhe për të gjitha njësitë. Besoj se i kemi marrë gjërat mbarë. Në fillim nisëm me çerdhet, kopshtet, shkollat, pastaj me hapësirat publike, Pazarin e Ri, pastaj me akset kryesore, me rrugën e “Dibrës” që ka edhe korsi biçikletash dhe autobusësh, si një damar qarkullimi i rëndësishëm për njësinë”, shtoi Veliaj.

Deputeti i PS, Ervin Bushati falenderoi Bashkinë e Tiranës për investimin e radhës në Njësinë 8, ndërsa vlerësoi se falë këtij vizioni Tirana po ndryshon çdo ditë e më shumë. “Përfitoj nga rasti të falenderoj Bashkinë e Tiranës për një investim që në këtë zonë nuk është bërë që nga koha e regjimit të kaluar. Këtu jemi 150 metra nga Bulevardi kryesor i Tiranës dhe kjo zonë nuk është Tiranë. Më në fund, do të shohim një investim dinjitoz dhe shpresoj që ky të jetë një standard i ri me rrugët e reja, me një ndriçim që do ta bëjë Tiranën shumë të bukur dhe që këtu të vijë më në fundi erë Tiranë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët dhe banorët mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin e tyre që gjatë këtyre 8 muajve që do të zbatohet ky projekt të arrijmë të bëjmë më të mirën për një qytet që po ndryshon me shpejtësinë e dritës”, tha Bushati.

Zona në të cilin po zbatohet projekti i rehabilitimit kufizohet nga rrugët: “Besa” - “Siri Kodra” - “Zenel Bastari” - “Haki Rexhep Kodra” (përfshin edhe rrugën tek Nish-Kimike), dhe ka një sipërfaqe prej 13.2 ha. Ky bllok banimi përfshin gjithsej 18 segmente rrugore e sheshe dhe parashikon sistemimin e rrugëve dhe shesheve të bllokut, me elementët e infrastrukturës rrugore dhe urbane, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit të kësaj zone dhe krijimin e akseseve të lëvizjes me rrugët e tjera të qytetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test