Kujdes me antibiotikët, mbahet në Tiranë java ndërgjegjësuese për përdorimin dhe rreziqet

Tirana

Kujdes me antibiotikët, mbahet në Tiranë java ndërgjegjësuese për përdorimin dhe rreziqet

Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 16:51
Java Botërore e Ndërgjegjësimit për Antibiotikët

Me vjeshtën në Tiranë mbërriti edhe “Java Botërore e Ndërgjegjësimit për Antibiotikët”.

Prej datës 13 deri më 19 nëntor nën kujdesin e Urdhrit të Farmacistëve dhe Universitetit të Mjekësisë në zona të ndryshme të Tiranës janë mbajtur aktivitete me informacione mbi mirë përdorimin e antibiotikëve dhe mbi rreziqet e mbi përdorimit të tyre.

Qëllimi i kësaj jave dhe aktiviteteve të ndryshme është të rrisë ndërgjegjësimin për rezistencën globale antimikrobike dhe të inkurajojë praktikat më të mira tek publiku, punonjësit e shëndetësisë dhe vendimmarrësit për te shmangur shfaqjen dhe përhapjen e rezistencës ndaj antibiotikëve.

Gjatë ditës së sotme po në Tiranë u mbajt konferenca me temë “Java Europiane e ndërgjegjësimit në përdorimin e antibiotikëve”, ku morën pjesë mjekë, infermierë, dentistë, farmacistë, studentë të farmacisë etj.

Konferenca organizohej nën kujdesin e presidentes së Urdhrit të Farmacistëve, znj. Diana Toma, si dhe shefit të departamentit të Farmacisë Prof. Dr. Ledjan Malaj.

Përmes një teme studimore me temë “Menaxhimi i antibiotikëve nga farmacisti, mbështetur në kodin etik dhe deontologjik”, Toma risolli në vëmendje se puna e farmacistit nuk lidhet vetëm me ekzekutimin e recetave, por duke e këshilluar pacientin për probleme a situata të ndryshme të cilat jo rrallë herë hasen në farmaci.

Ndër të tjera Toma rendit disa pika të cilat mund të sjellin një ndërveprim sa më rigoroz mes farmacistit dhe pacientit.

-Çdokush që është farmacist i rrjetit të hapur haset thuajse çdo ditë me kërkesën e pacientëve për të marrë antibiotikë pa recetë mjeku. Është detyrë e farmacistit bërja me dije se përdorimi i antibiotikëve jep rezultatin e kërkuar, vetëm kur paraprakisht është vendosur një diagnozë e saktë nga mjeku, është përshkruar në recetë prej tij, kontrollohet kjo recetë nga farmacisti dhe përdoret saktësisht nga pacienti, sic farmacisti këshillon.

-Jo në pak raste vërehet tendenca e përdorimit të antibiotikëve në viroza.

-Farmacisti ka për detyrë të japi informacion jo vetëm mbi mënyrën e përdorimit të antibiotikut, por të tërheqë vëmendjen dhe për mënyrën e asgjesimit të tij nga pacienti, duke e ndërgjegjësuar këtë të fundit se nëse antibiotikët të cilët i ka në zotërim, por që nuk i ka përdorur, vendos ti hedhë në ambjente të pa përshtatshme, ky antibiotik i cili nuk u morr nga goja merret në forma të tjera si pasojë e shpërbërjes së tij, si p.sh nga uji, ajri apo ushqimi.

-Mirëmenaxhimi i grupit të antibiotikëve së pari kërkon nga farmacisti një njohje shumë të mirë të këtij të fundit mbi to, mbi efektet që dëshirohen, mbi efektet anësore por dhe mbi pasojat që mund të kemi nga përdorimi i tyre, prandaj së pari duhet të kemi një farmacist të plotësuar nga ana profesionale.

-Roli i farmacistit është shumë i rëndësishëm në mënyrën se si ofron tek pacienti vaksinat e gripit, prej të cilave priten përjetime të dobësuara të situatave virale dhe për pasojë minimizim të komplikacionit të tyre.

Tashmë është fakt se ë vitet e fundit, numri dhe llojet e organizmave rezistentë kanë qenë në rritje për shkak të keqpërdorimit dhe përdorimit të tepruar të antimikrobikëve – tek njerëzit, kafshët, madje edhe në kulturat bujqësore dhe akuakulturë, ndaj organizatat e shëndetësisë ngrënë alarmin që gjithmonë të kërkoni këshillën e ekspertëve para se të përdorni antimikrobikët.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat