Zbulohet motivi, ja çfarë fshihet pas plagosjes së efektivit të policisë në Tiranë

Tirana

Zbulohet motivi, ja çfarë fshihet pas plagosjes së efektivit të policisë në Tiranë

Më: 30 nëntor 2017 Në ora: 09:41
Ilustrim

Plagosja e efektivit të Policisë së Tiranës dy ditë më parë, duket se nuk ka qenë një konflikt i çastit, por pasojë e një sherri që ai kishte pasur me autorin 2 ditë para ngjarjes.

Burime nga Policia thanë se, pavarësisht se efektivi 30-vjeçar Ermal Bregu, vijon të pohojë se nuk njihej me autorët dhe se gjithçka ndodhi në një moment gjaknxehtësie, ka dyshime se mes tij dhe njërit prej të dyshuarve ka pasur një çështje personale të mëparshme.

Megjithatë, në këto rrethana, të paktën pa u arrestuar personat e dyshuar, motivi i vërtetë i ngjarjes mbetet ende i paqartë. Ndërkohë mësohet se janë shpallur në kërkim dy të dyshuarit për plagosjen e efektivit Bregu. Më- sohet se autori kryesor i ngjarjes është 23-vjeçari Daniel Manushi, i lindur në Gjermani dhe banues në Yzberisht. Sipas Policisë, Manushi është personi që ka shkrepur pistoletën, duke plagosur efektivin Ermal Bregu. Ndërsa bashkëpunëtori i tij është shtetasi me iniciale E.K., 25 vjeç, banues në Bërxull.

Ky person, sipas burimeve, ka qenë më tepër në rolin e ndërmjetësit për të shuar konfliktin mes efektivit dhe shokut të tij, por në këtë rast ka bashkëpunuar me autorin, duke e ndihmuar edhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Nga ana tjetër, ndryshe nga versioni policor, që flet për një konflikt dy ditë para ngjarjes, dëshmitarët, të cilët janë dhe banorë të zonës, treguan dje se efektivi është konfliktuar disa herë në lagje. Ata nuk janë në gjendje të pohojnë nëse konfliktet e tij kanë qenë me të njëjtët persona, që tashmë janë shpallur në kërkim për plagosjen e tij, pasi tregojnë se nuk i njohin autorët.

EFEKTIVI I PLAGOSUR

Ermal Bregu, 30-vjeçari që u plagos mbrëmjen e së martës në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, prej disa vitesh është agjent krimesh në Komisariatin nr.1. Edhe babai i tij është punonjës i Policisë së Shtetit, me detyrë polic objektesh në Tiranë. Burime nga Policia thanë dje se efektivi i plagosur është përfshirë edhe në dy incidente të mëparshme gjatë 3 viteve të fundit. Mësohet se rreth 3 vite më parë, persona që ende nuk janë identifikuar, i kanë djegur automjetin e tij tip “Hummer”. Kjo ngjarje ka ndodhur në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, aty ku ai banon, ku edhe ndodhi ngjarja.

Ndërsa vitin e kaluar, ai pati një tjetër incident, pasi u plagos aksidentalisht me armën e shërbimit, teksa ishte duke e pastruar. Nuk dihet ende nëse plagosja e së martës ka lidhje apo jo me djegien e makinës së tij, megjithatë po verifikohet si pistë. Edhe pse zyrtarisht Policia thotë se bëhet fjalë për një sherr të momentit, ndërsa vetë polici i plagosur thotë se nuk i njeh autorët.

Dinamika e ngjarjes

Zbulohet dinamika e plagosjes së policit të komisariatit nr 1 në Tiranë, Ermal Bregu, mbrëmjen e së martës në zonën e njohur si “Parku ” në kryeqytet. Autori i dyshuar i plagosjes është Daniel Manushi. 23-vjeçari është shpallur në kërkim bashkë me një shokun e tij i cili akuzohet si bashkëpunëtor. I riu figuron kontigjent kriminal në skedarët e policisë së Tiranës. Manushi, me nënshtetësi gjermane njihej si problematik në zonë. 2 ditë përpara ngjarjes ai ishte përplasur me efektivin e policisë që banon në atë zonë.

Ai ka hyrë në një nga lokalet e zonës ku është përballur sërish me Manushin. Ai e ka fyer duke e thirrur “spiun” për shkak të detyrës që ka. Mes tyre ka nisur fillimisht një përballje verbale dhe më pas fizike që ka vijuar në rrugë. Në një moment 23-vjeçari ka nxjerrë një pistoletë dhe ia ka vënë në kokë policit. Ai e ka shmangur drejtimin e armës që është shkrehur 2 herë. Efektivi i policisë u plagos në dorë dhe në bark, por pas transportit në spital është jashtë rrezikut për jetën. 2 të rinjtë janë shpallur në kërkim dhe nuk gjenden prej mbrëmjes së të martës.

Identifikohet autori 

Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e dyshuar që plagosi me armë zjarri mbrëmjen e djeshme efektin e policisë Ermal Bregu tek ish- Parku i Autobusëve në Tiranë. Autori i dyshuar është Daniel Manushi, 23 vjec, me nënshtetësi gjermane dhe policia po punon për kapjen e tij. Gjithçka erdhi si pasojë e një sherri banal mes policit e dy djemve që i kishte në lagje. Efektivi Ermal Bregu, 33 vjec, rrëfeu në polici se ata të dy e kishin pyetur në fillim pse po i shikonte, e kaq ka mjaftuar që njëri prej tyre të përdorte armët. Polici ishte jashtë shërbimit kur u plagos dhe u tranportua në spital.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat