Ja kur nis furnizmi normal i Tiranës me ujë - Bota Sot
Ja kur nis furnizmi normal i Tiranës me ujë

Tirana

E shtunë, 16 dhjetor 2017

Ja kur nis furnizmi normal i Tiranës me ujë

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 14:26
Tiranë

Krahas punës për përballimin e situatës në terren si rrjedhojë e shirave të dendur që përfshinë kryeqytetin në 48 orët e fundit, Bashkia e Tiranës vijoi sot me shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë, kryesisht në zonat periferike.

 Me ndihmën e rrjetit të vullnetarëve u shpërndanë ndihma ushqimore, batanije e veshmbathje për familjet në zonën e ish Institutit, në Njësinë 8, në Njësinë 4 pranë Bregut të Lumit dhe në Njësinë 6. Grupit të vullnetarëve iu bashkua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili së bashku me të rinjtë paketoi një sasi ushqimesh dhe veshmbathjesh në magazinën e Rezervave të Emergjencës, që Bashkia e Tiranës ka ngritur në Farkë, e më pas u shpërndanë për familjet në nevojë.

Veliaj u shpreh i kënaqur për solidaritetin e shprehur nga qytetarët e Tiranës dhe theksoi se tashmë që situata ka nisur të përmirësohet, do të vijojë shpërndarja e ndihmave për këdo që është në nevojë. “Jam shumë krenar sot për Tiranën. Tirana, kur shikon se ka një nevojë solidarizohet, kur shikon një problem e zgjidh, kur shikon një krizë mobilizohet dhe besoj se kjo është fryma e Tiranës, kjo e bën qytetin tonë të jetë një qytet unik në raste të tilla. Sot do të vazhdojmë me ndihma në njësinë 11, në njësinë 8 dhe në njësinë 4. Kemi të gjitha listat e familjeve me ndihmë ekonomike. Pra, tani që mbaruan shirat kemi mundësi që të shkojmë tek çdo familje që është në listën tonë”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ai falenderoi në mënyrë të veçantë gjithë rrjetin e vullnetarëve, por edhe të gjitha ato biznese që i janë përgjigjur nevojave që kishte qyteti në këto ditë të vështira, duke dhuruar ushqime dhe materiale të tjera që mund t’i vijnë në ndihmë të prekurve nga përmbytjet. “Jam shumë mirënjohës për të gjithë vullnetarët e Bashkisë së Tiranës, të cilët kanë bërë një punë fantastike. Gjatë gjithë mbrëmjes, edhe gjatë kësaj fundjave, kemi pasur një mobilizim të biznesit lokal, të shumë dyqaneve dhe supermarketeve. Po na funksionon perfekt ideja për rezervat e qytetit të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Mandej, ai u bëri thirrje edhe bizneseve të tjera dhe çdo qytetari që kërkon të kontribuojë në këtë situatë që të ofrojë ndihmën e vet qoftë në ushqime apo materiale veshmbathje, ashtu edhe atë fizike, në mënyrë që pasi Tirana të kalojë këtë situatë të ketë mundësi të solidarizohet edhe me qytetet e tjera, që gjithashtu janë në vështirësi më të mëdha. “Dua t’i bëj një ftesë të gjithë bizneseve që kanë mundësi, Tirana vërtet e kaloi më të keqen, por kemi ende familje në nevojë; do donim që pasi të mbaronim këtë fundjavë me shpërndarjen e ndihmave në Tiranë, të kemi mundësi të ndihmojmë dhe të solidarizohemi, edhe me qytetet e tjera. Sikur të kishim 1 milion veshmbathje, 1 milion paketa ushqimore, 1 milion vakte që shërbehen, sa bukur do ishte që ta transformonim të gjithë këtë energji negative në një energji pozitive”, theksoi Veliaj. 

Në fund, Veliaj u ndal dhe tek çështja e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetarëve të Tiranës, ku dha lajmin e mirë se situata në liqenin e Bovillës po përmirësohet ndjeshëm. Duke falenderuar grupet e punës së UKT dhe OSHEE për punën gjatë gjithë natës për vënien në punë të filtrave dhe të nënstacioneve në Bovillë, Veliaj garantoi qytetarët për normalizimin e situatës me furnizimin me ujë brenda ditës së sotme.

“Sot balta po dekandon, po i afrohemi parametrave ku mund të bëjmë filtrim normal të ujit dhe brenda ditës së sotme, Tirana do të kthehet në normalitet. Një pjesë e qytetit tashmë është stabilizuar. Na kanë ngelur dhe 4-5 lagje të tjera dhe besoj se përpara se të mbyllet dita sot, do të kemi stabilizuar gjithë situatën e ujit në Tiranë. Dua t’ju shpjegoj që filtrat e Bovillës filtrojnë ujin dhe në momentin që uji është i gjithë me llucë, ato bllokohen. Bllokimi i një filtri të Bovillës shkakton një muaj ndërprerje me ujë të Tiranës. Kemi vendosur diçka të vështirë, por diçka të drejtë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë sqaroi se portat e digës së Bovillës vijojnë të qëndrojnë të mbyllura dhe se niveli i liqenit është nën kuotën maksimale. Veliaj bëri të ditur se vendimin për hapjen e digës e merr administratori i shoqërisë, i cili paraprakisht ka detyrimin ligjor të njoftojë zyrtarisht edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si dhe kryetarin e Bashkisë së Kamzës.

“Një qytetar që nuk e kupton si funksionon ujësjellësi ka të drejtë të mërzitet, por nuk u lejohet kjo atyre që deri dje kanë menaxhuar qytetin. Ne të gjithë e kuptojmë që Bovilla nuk është hapur, se që të hapet, së pari duhet të kapë nivelin maksimal, që ende s’e ka kapur. Së dyti, ka një protokoll ku i pari që njoftohet është kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe i Kamzës, kështu që nuk mund të jetë hapur pa kaluar protokolli në këto dy bashki. Së treti, edhe nëse hapet, nuk kalon fare në anën tjetër të Tiranës, sepse kemi një lum që na ndan në mes. Le të mos hapim panik. Ata që menaxhuan shtetin shqiptar dhe dështuan në mënyrë mizerabël vitet që ndodhi kjo katrahurë në Shqipëri me ndërtimet dhe me shërbimet publike, s’kanë të drejtë të flasin tani”, përfundoi Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test