Tiranë: Dëmtimet e mjedisit dhe polemikat qeveri - opozitë

Tirana

Tiranë: Dëmtimet e mjedisit dhe polemikat qeveri - opozitë

Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 23:15
Mjedisi dhe lejet për ndërtimin e hidrocentraleve

Qeveria dhe opozita po shkëmbejnë kritika në Tiranë mbi lejet e ndërtimit që dëmtojnë mjedisin dhe turizmin mbi lumin Osum pranë Beratit, duke akuzuar njëra tjetrën për korrupsion dhe mungesë ndjeshmërie ndaj natyrës shqiptare.

Ministria e Turizmit dhe mjedist publikoi sot një projekt- strategjie për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në dy vitet e ardhshme, e cila mund të rritë me 15-20% numrin e turistëve dhe mund të shtojë fitimet e familjeve shqiptare.

Premtimet për zhvillimin e turizmit në Shqipëri shkojnë prej disa dekadash në raport të kundërt me realitetin.

Sa më shumë është folur për turizmin, aq më shumë është dëmtuar natyra.

Një ditë më parë kësaj mbledhjeje, ministri i turizmit dhe mjedisit Blendi Klosi ishte në kanionet e Osumit dhe prej andej garantoi se ndërtimet mbi atë lum nuk do të bëheshin, sepse firmat kishin gabuar me projektet dhe vendndodhjen e tyre në hartë.

Edhe kryeministri Edi Rama u angazhua për ndalimin e atyre ndërtimeve pak muaj pasi i nënshkroi ato.

Por Partia Demokratike e opozitës tha sot se zotërinjtë Rama dhe Klosi po përpiqen të të mbyllin me një deklaratë ndjese çështjen e ndërtimit të hidrocentraleve tek Kanionet e Osumit, sepse në fakt po promovojnë në karrierë ata zyrtarë, që nënshkruan hidrocentralet mbi Osum.

Shkëmbimi i akuzave mes socialistëve dhe demokratëve janë bërë të zakonshme për lejet e ndërtimit në parqe kombëtare të mbrojtura nga veriu në jug të vendit.

Shoqatat mjedisore kanë mbi dy vjet që zhvillojnë procese gjyqësore dhe një seri protestash për të ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve në parkun kombëtar të Valbonës në veri dhe mbi lumen Vjosa në jug, të cilat janë ndër zonat më të bukura turusitike të Shqipërisë dhe Ballkanit.

Por deri tani asnjë projekt nuk është anulluar, dhe puna vazhdon me shpejtësi, duke dëmtuar rëndë natyrën.

Projekt mbi lumin Osum zunë befas vëmendjen e opinionit publik dhe tema po fashitet shpejt me argumentin se disa koordinata në harta janë vendosur gabim.

Por edhe pa ato, dëmet në natyrën shqiptare vazhdojnë të jenë të rënda dhe shpesh të pariparueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat