Edhe 1000 selvi te Unaza e Madhe, TAP i bashkohet nismës së Bashkisë

Tirana

Edhe 1000 selvi te Unaza e Madhe, TAP i bashkohet nismës së Bashkisë

Më: 17 mars 2018 Në ora: 16:08
Pamje nga aksioni

Pak ditë para 21 marsit, Ditës Botërore të Pyjeve, qytetarët e Tiranës do t’i bashkohen masivisht aksionit për mbjelljen e më shumë se 100 mijë pemëve në kryeqytet.

Deri tani, numri i pemëve të mbjella nga Bashkia e Tiranës gjatë këtij sezoni ka arritur në 95 mijë.

Së fundi, edhe Gazsjellësi Trans-Adriatik iu bashkua nismës, duke mbjellë 1000 pemë selvi përgjatë segmentit lindor të Unazës së Madhe.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi TAP-in për pemët e dhuruara dhe theksoi se kjo është mënyra më e mirë se si kompanitë private mund të shprehin përgjegjësinë e tyre sociale ndaj qytetit.

Veliaj: Sapo kemi kaluar 95 mijë pemë të mbjella dhe jemi shumë afër qëllimit tonë kryesor, që në datën 21 Mars jo vetëm të kapim 100 mijëshen, por edhe ta kalojmë atë shifër. Me miq si TAP-i besoj se do t’ia arrijmë dhe do dalim faqebardhë në këtë nismë. Në fund të ditës, kjo është gjurma që lë secili prej nesh.

Kryebashkiaku ftoi të gjithë ata qytetarë apo biznese që të shfrytëzojnë ditët e mbetura për t’u bërë pjesë e këtij aksioni, që do t’i japë qytetit më shumë gjelbërim dhe ajër të pastër në vitet e ardhshme.

Veliaj: Dikush mund të punojë në TAP, dikush tjetër në qeveri, dikush në bashki, këto janë të gjitha punë të përkohshme, por ajo që ngelet është gjurma e veprave që lamë pas. Kjo fushatë e gjelbërimit të Tiranës, ku secili në çdo segment ka lënë gjurmën e vet, është diçka që do na bëjë të ndihemi krenarë edhe kur të mos jemi më duke bërë këto punë. Kështu që, ju falenderoj me gjithë zemër dhe ju jam shumë mirënjohës.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enis Aliko, falenderoi TAP-in për bashkëpunimin e deritanishëm, por edhe për përgjegjësinë që ka treguar për të kthyer në gjendjen e mëparshme të gjithë terrenin mjedisor ku kalon gjurma e gazsjellësit.

Menaxheri i Përkohshëm i TAP-it për Shqipërinë, Michele Elia, tha se mbjellja e pemëve është një investim i rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen dhe ne të gjithë duhet të kontribuojmë për të përmirësuar mjedisin për brezat e ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat