Veliaj: Revolucioni i gjelbër i Tiranës, po i afrohemi finishit me 100 mijë pemë të reja

Tirana

Veliaj: Revolucioni i gjelbër i Tiranës, po i afrohemi finishit me 100 mijë pemë të reja

Më: 20 mars 2018 Në ora: 14:26
Erion Veliaj

Parkut të Liqenit Artificial dhe atij të Farkës u janë shtuar edhe 150 rrënjë ullinj. Aksionit të Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e 100 mijë pemëve iu bashkuan edhe nxënësit e kolegjit greko-shqiptar “Arsakeio” dhe ambasadorja e Greqisë, Eleni Sourani.

Gjithashtu, edhe një grup studentësh nga “Qyteti Studenti” mbollën 65 drurë dekorativë në lulishtet përreth mjediseve ku jetojnë.

“Jam shumë i lumtur që, teksa i afrohemi finishit të qëllimit tonë për 100 mijë pemë, miqtë tanë nga ambasada greke dhe stafi i tyre na kanë dhuruar 150 ullinj cilësorë nga Greqia. Një pjesë e tyre do të jenë këtu në Parkun e Liqenit, pjesa tjetër në parkun e Farkës”, tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Ai ftoi që nisma e ambasadës greke në Tiranë të ndiqet edhe nga përfaqësues të tjerë diplomatikë, që të lënë gjurmën e tyre gjatë kohës së shërbimit në kryeqytetin shqiptar.

“Janë ndër të parët që i janë bashkuar kësaj nisme dhe besoj që në shembullin e tyre edhe ambasadat e tjera do na ndihmojnë. Kështu, do kenë mundësinë të thonë se kur shërbeva në Shqipëri, mbolla pemët e mia dhe u bëra pjesë e revolucionit të gjelbër të Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Por, nismës së Bashkisë së Tiranës iu bashkuan edhe të rinjtë e “Qytetit Studentit”, të cilët mbollën 65 drurë dekorativë, që do t’i shtojë hijeshinë lulishteve mjediseve përreth bujtinave. “Jam i bindur se kjo fushatë do të kthehet në standard për angazhimin publik në qytetin tonë. I falenderoj nga zemra gjithë qytetarët që u bënë pjesë, por sidomos studentët”, u shpreh Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat