Miratohet nëser vendimi, PD votë pro për kreditë e buta në Tiranë

Tirana

Miratohet nëser vendimi, PD votë pro për kreditë e buta në Tiranë

Më: 28 mars 2018 Në ora: 18:36
Akil Kraja

Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të miratojë në mbledhjen e së enjtes vendimin për subvencionimin e interesave të kredisë, nga i cili këtë vit do të përfitojnë rreth 500 familje. Këshilltari demokrat Akil Kraja, thotë se ulja e numrit të përfituesve nga 1000 në 500 ka ardhur si kusht i vendosur nga banka, pasi jo të gjithë aplikantët e përzgjedhur në vitet e mëparshme kanë plotësuar kriteret e marrjes së kredisë.

Akil Kraja: “Ka disa ndryshime, kjo vjen edhe për shkak të kritereve që aplikohen në nivel të bankës në mënyrë që të jetë sa më afër shifrave reale që bankat përzgjedhin. Ka pasur raste edhe para disa muajsh kur individët të cilët mbase mund të mos e përfitonin e kanë përfituar. Por duke aplikuar, duke e ndjekur, sa më shumë interes të shfaqin qytetarët aq më shumë do të jetë edhe presioni që skema të jetë transparente dhe efikase në mënyrë që të përfitojnë realisht familjet e Tiranës që kanë më shumë nevojë”    

Në vendimin e ri parashikohet që kohëzgjatja e interesave të kredisë të variojë nga 15 deri në 20 vite, në mënyrë që familjet të kenë fleksibilitet sipas të ardhurave për pagesën e kësteve të kredisë.

Akil Kraja: “Bankat analizojnë dosjet. Ajo që ka ndryshuar është që ka një fazë të parë ku bëhet një parafiltrim nga Bashkia. Llogaritja që bëhet pak a shumë e përafërt është që kredia shkon deri në 20 vjet maksimumi. Gjatë negociatave me bankat mund të ketë edhe hapësira për ndryshime”

Kraja pohon se për këtë vendim vota e demokratëve në Këshill do të jetë pro, por kërkohet që Bashkia të bëj transparencë në procesin e përzgjedhjes së përfituesve.

Akil Kraja: “Grupi i këshilltarëve bashkiak të PD, vendimi i parë që u mor në gusht të 2015, ishte çlirimi i banesave sociale që ishin mar peng për dy vitet e fundit 2013-2015. Në të njëjtën frymë, në shërbim të qytetarëve të Tiranës, grupi i këshilltarëve bashkiak të PD do të votojë pro vendimeve që i shërbejnë Tiranës, banorëve të saj, gjithmonë me kushtin e transparencës, llogaridhënies dhe të një qeverisje të mirë” 

Aplikimet për kreditë e buta do të nisin pas miratimit të vendimit në Këshillin Bashkiak. Si çdo vit ato do të kryhen pranë njësive administrative përkatëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat