“Danieli dinte not, por u ngatërrua me myshqet”. Kjo është dëshmia tronditëse e dy shokëve të 12-vjeçarit që u mbyt sot në liqenin e Farkës.
Ndonëse shkuan si çdo herë të laheshin të tre sëbashku, Danieli, nuk mundi të dilte prej liqenit, ndërsa gjeti vdekjen tragjikisht.
Të tronditur për ngjarjen e rëndë, dy vogëlushët thanë se, shoku i tyre ishte zhytur në ujë, pasi kishte rrëshqitur në barishte dhe më pas nuk e kishin parë më.
“Kemi shkuar shpesh në liqen për t’u larë. Por sot kur u zhytem, ai nuk mundi të dalte pasi rrëshqiti në barishtet e liqenit. Kur ai nuk doli u futëm për ta nxjerrë por nuk e pamë. Fundi i liqenit ishte i turbull”,- thanë dy shokët e viktimës para oficerëve të policisë në komisariatin nr.1 në Tiranë.
Sipas policisë, polumbarët e RENEA-s janë njoftuar dhe nisën ta kërkojnë trupin e fëmijës.
Informacion paraprak nga Policia e Tiranës:
Më datë 05.06.2018, rreth orës 14:25, jemi njoftuar se tek Diga e Liqenit në Farkë është mbytur një fëmijë i mitur.
Paraprakisht dyshohet që fëmija i mitur i moshës rreth 12 vjeç, me inicialet D. D., të ketë qenë duke luajtur së bashku me fëmijë të tjerë në zonën e liqenit dhe është mbytur aksidentalisht.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë si dhe janë njoftuar Polumbarët e Reneas.
Polumbarët nisën kërkimet për nxjerrjen e trupit të pajetë të 12-vjeçarit, banues në Shkozë, dhe pas disa kohësh e arritën ta nxjerrin atë.