Qendrat sociale, Veliaj: Model të ri për rikthimin e të miturve në shoqëri - Bota Sot
Qendrat sociale, Veliaj: Model të ri për rikthimin e të miturve në shoqëri

Tirana

E mërkurë, 22 gusht 2018

Qendrat sociale, Veliaj: Model të ri për rikthimin e të miturve në shoqëri

Më: 17 korrik 2018 Në ora: 15:02
Erion Veliaj

Të miturit e Tiranës me probleme të lehta me ligjin, do të kenë mundësi të trajtohen pranë komunitetit të tyre duke u angazhuar në programe të posaçme socializuese në qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e masave alternative të shmangies nga ndjekja penale e të miturve në konflikt me ligjin. Kështu, Bashkia e Tiranës bëhet institucioni i parë vendor në Shqipëri që ofron mbështetje konkrete në pesë qendrat e saj sociale për fëmijët të cilët, në rrethana të ndryshme, kanë gabuar dhe janë përballur me drejtësinë.

“Jam i lumtur që i besuat Bashkisë së Tiranës, si institucioni i parë që eksperimenton dhe sjell një risi në pesë qendrat tona sociale, ku shumë prej atyre që sistemi i drejtësisë i konsideron se kanë kryer vepra të lehta, që mund të rehabilitohen fare mirë në qendrat sociale, të kenë mundësi ta bëjnë këtë këtu. Të rinjtë që ju do të referoni në shërbimet tona nuk do të jenë pjesë e ndonjë institucioni, jo të disa kangjellave, as të një hapësire me katër mure, por të një përvoje që fillon nga socializimi me këshilltarë e psikologë, tek puna me drejtues dhe mentorë në komunitet, që mund t’i përfshijnë në punë të tjera komunitare”, tha Veliaj.

Ai tha se marrëveshja mundëson që këta fëmijë të trajtohen në qendrat sociale, duke i garantuar mundësinë që të mund të bëhen qytetarë të barabartë dhe të gatshëm për t’u përballur me sfidat që sjell jeta, pa pasur frikë se do të paragjykohen nga shoqëria. Sipas Veliajt, qendrat sociale që funksionojnë në Tiranë kanë përvojën e duhur për ta fituar edhe këtë sfidë të re, duke u bërë model për bashkitë e tjera. “Kemi mundësinë që përmes këtij bashkëpunimi fantastik mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkisë së Tiranës të ndërtojmë një model të ri. Diçka që nis mirë në Tiranë është më kollaj të replikohet nga bashkitë e tjera”, tha ai.

Në bazë të marrëveshjes, Bashkia e Tiranës vë në dispozicion të trajtimit dhe të rehabilitimit të të miturve në kontakt me ligjin, 5 qendra sociale multifunksionale dhe gjithë stafin e saj të punonjësve të njësive për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, punonjësve social dhe psikologëve. Ndërkohë, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, Shërbimit të Provës dhe institucioneve të zinxhirit që do të merren dhe do të trajtojnë të miturit, do të nisin menjëherë punën në realizimin e detyrimeve që rrjedhin prej kësaj marrëveshje dhe që kanë të bëjnë me referimin e fëmijëve me probleme me ligjin dhe mbikëqyrjen e këtij lloji të ri të rehabilitimit të tyre. Qëllimi kryesor i marrëveshjes është mbrojtja dhe garantimi i interesit më të lartë të fëmijës, integrimi, rehabilitimi dhe mbrojtja e të drejtave të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test