“Forca e Ligjit” në Tiranë sekuestron 5 milionë euro asete të një grupi kriminal

Tirana

“Forca e Ligjit” në Tiranë sekuestron 5 milionë euro asete të një grupi kriminal

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 22:14
“Forca e Ligjit” ka goditur një grup kriminal, duke sekuestruar dhe një pasuri prej 5 milionë eurosh.

Policia e Shtetit në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” ka goditur një grup kriminal, duke sekuestruar dhe një pasuri prej 5 milionë eurosh.

Më datë 30 prill 2018, autoritetet policore spanjolle në bashkëpunim DEA dhe EUROPOL kanë arrestuar në flagrancë shtetasit shqiptarë: Arjan Ndoci, alias (Dritan Gradica, Ardjan Noka, Mondi Prenga, Mond Gjoni, Don Gjoni,) 41 vjeç, lindur dhe banues në Laç, Kurbin; Julian Deblini (Bedlini), vjeç 35, lindur dhe banues në Lezhë.

Ata akuzohen për veprën penale të “Trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, pas kapjes së një sasie prej 1000 kg kokainë, e cila dyshohet se vinte nga Kolumbia si dhe të një shume parash prej 1,550,000 euro.

Këta 2 shtetas janë anëtarë të një grupi kriminal që zhvillonte prej kohësh trafik të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Europës.

Menjëherë pas realizimit të këtij operacioni nga autoritetet e sipërpërmendura, Policia e Shtetit ka shkëmbyer informacione paraprake për identifikimin e shtetasve dhe pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal, si edhe aseteve të përfituara nga veprimtaria e paligjshme.

Nga kryerja e veprimeve hetimore u ngritën dyshime se këta shtetas, të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal jashtë shtetit i kanë investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, në llogari bankare, për vete dhe për familjarët e tyre dhe në disa raste duke i fshehur ato në emra të të afërmve. Konkretisht investimin e kanë bërë në disa qytete të vendit, kryesisht në Tiranë.

Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore, janë zhvilluar disa takime të përbashkëta operacionale me përfaqësues të Zyrës Rajonale të DEA Athinë, DEA Madrid, autoritete policore spanjolle dhe EUROPOL, në kuadër të shkëmbimit në kohë reale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në terren, u siguruan prova të pakontestueshme dhe Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, vendosi sekuestro preventive për llogaritë bankare dhe pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, të shtetasve Arjan Ndoci, Julian Deblini (Bedlini) dhe familjarëve të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat