Mediet greke: Shqipëria, “Greqia e ardhshme” në turizëm

Turizëm

Mediet greke: Shqipëria, “Greqia e ardhshme” në turizëm

Më: 10 korrik 2016 Në ora: 11:44
Pamje nga bregdeti shqiptar

“Shqipëria hedh vështrimin nga turizmi dhe kërkon të bëhet Greqia e ardhshme”, kështu titullohet një artikull i prestigjiozes greke “Kathimerini”, që thekson se kjo është dëshira e profesionistëve të këtij sektori në vendin e vogël ballkanik, që tashmë promovohet si një zgjedhje e lirë turistike.

Sipas ministres shqiptare të Ekonomisë dhe Turizmit, Milva Ekonomi, Shqipërinë e kanë vizituar gjatë vitit 2015 plot 3 milionë turistë, kryesisht nga Kosova, Italia, Japonia, por edhe nga Holanda dhe Çekia. Monedha vendase e lirë, autostradat e reja që lidhin Shqipërinë me Greqinë dhe Kosovën, linjat e anijeve me Italinë, bregdeti i Adriatikut shumë pak i shfrytëzuar e bëjnë turizmin një sektor premtues për ekonominë shqiptare, ndërsa organet kompetente kanë filluar të jenë të pranishme tashmë në ekspozitat ndërkombëtare të turizmit.

Por siç pranon Milva Ekonomi, me gjithë interesimin, rezultate ka vetëm nga bashkëpunimi i kompanive private me anë të paketave turistike nga Korfuzi apo Janina drejt zonave jugore të Shqipërisë, ndërsa ka shumë punë për të bërë me bashkëpunimin ndërqeveritar.

Një vend të veçantë në artikull zënë deklaratat e ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila thekson se Shqipëria duhet të kryejë një menaxhim të duhur të produktit turistik, pa dëmtuar mjedisin natyror, e këtë e ndjek me vëmendje përfaqësia e BE-së në Shqipëri, e cila sipas saj ka synimin kryesor luftën kunder korrupsionit.

Nëse Shqipëria kërkon të ketë progres jo vetëm në turizëm por kudo, në mënyrë qe sipas synimit të saj të filloje negociatat për BE-në në fund të vitit 2019, - thotë Vlahutin, - duhet që një e treta e institucioneve të ndryshojnë, pasi korrupsioni përfshin shumicën e shoqërisë nga gjykatësit, ministrat, partitë politike, e deri te mjekët dhe mësuesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat