Ujrat termale të Langaricës, bukuri natyrore por dhe shëronjëse

Turizëm

Ujrat termale të Langaricës, bukuri natyrore por dhe shëronjëse

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 20:06
Ujrat termale të Langaricës

Përmeti këtë muaj ka qenë mjaft i populluar nga turistë vendas dhe të huaj, për shkak se në zonën e Përmetit  ka shumë resurse turistike, por më të njohurit janë Kanionet e Langaricës ose Kanionet e Urës së Dashit, që ndodhen 200 m larg burimeve termale në të dy anët e lumit Langaricë, me lartësi 30 m.  Vargu i kanioneve vijon duke u zmadhuar deri në lartësinë 150 m, duke u bërë nga më tipikët dhe më të bukurit e vendit.

Padyshim, lumi i Langaricës, kjo degë e fuqishme për Vjosën që për vendasit është “lumi i bekuar”, kështu e thërrasin ata, rrjedh me forcë përmes një kanioni spektakolar shkëmbor të fshehur mes pyjeve dhe maleve të Dangëllisë dhe Shqerisë e që “urtësohet” vetëm një kilometër para pikëtakimit të tij me Aos-in e lashtë apo Vjosën e kohës tonë.

Këta kanione kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve e shkencëtarëve vendas dhe të huaj.

Natyra përreth këtyre kanioneve është e jashtëzakonshme, tipike shqiptare, që nuk e ka asnjë vend tjetër në botë. Peizazhi natyror i këtij lumi, është nga më piktoreskët në gjithë Shqipërinë. Peizazh i bukur, i frikshëm dhe i ndryshueshëm sipas stinëve.

Katër stinët kanë katër peizazhe të ndryshme dhe të mahnitshme. Është vërtet një lumë misterioz, i bukur dhe i begatë. Në dimër, Langarica “tërbohet”, por nuk del dot nga shtrati, sepse nuk e lejojnë “muret” shkëmbore të kanionit.

Shtrati i këtij damari ujor malor, fillimin e ka diku në lartësitë e Shqerisë e Dangëllisë në kufi me rrethin e Skraparit.

Prurjet e jashtëzakonshme gjatë dimrit e ndryshojnë për vit konfiguracionin e territorit përreth Urës së Katiut, një monument i rrallë kulture.

Peizazhi është vërtet mahnitës: shpella, kanione, gjelbërim, pemë dhe shkurre aromatike, ndërsa ujërat termale që burojnë rrëzë shpellave të kaltra dhe me një aromë të lehtë sulfuri, pasi dalin nga rrëzat e shtratit të lumit derdhen në rrjedhën e rrëmbyeshme të lumit të Langaricës.

Këto prurje të vrullëshme përdoren nga amatorët e sporteve ujore për kanotazh apo lojra të tjera ujore.

Ndërsa në stinën e nxehtë, përreth burimeve termale vendasit ngrenë mure me gurë dhe baltë “çudibërëse” për të krijuar pellgje ku gjatë sitën së verës vijnë e lahen  mijëra njerëz që kërkojnë të gjejnë shërim e derman për sëmundjet e lëkurës, eshtrave, stomakut dhe reumatizmës.

Pjesa më e madhe e vizitorëve dhe frekuentuesve të këtij mjedisi të përkryer nga pikëpamja e peizazhit dhe tepër kurativ, janë njerëz  nga Përmeti, Këlcyra, Tepelena dhe Gjirokastra, por tashmë që vetit kuruese të këtyre banjave termale kanë kapërcyer kufijtë e zonës,vijnë aty nga gjithë Shqipëria por vijnë kurioz edhe nga bota.

Të dy brigjet e kanionit dhe pellgjet e formuar nga ujërat sulfurore janë të mbipopulluar nga pushuesit, por pjesa më e madhe e tyre qëndron në burimet që ndodhen pranë Urës së Katiut, një monument i ndërtuar qysh në kohën langaric7e Ali Pashë Tepelenës.

Gushti është muaji që pushues dhe kurioz popullojnë brigjet e Langaricës për tu shlodhur,argëtuar dhe për të gjetur “derman”nga sëmundje të ndryshme që kanë në trupin e tyre.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat