Saranda perla e detit Adriatik

Turizëm

Saranda perla e detit Adriatik

Më: 17 nëntor 2016 Në ora: 11:42
Saranda

Për dy ditë rresht rreth njëzet drejtues të bizneseve dhe sipërmarrës të sferave të ndryshme të Bashkisë së Sarandës nga Shqipëria, promovuan turizmin dhe disa produkte bio-natyrale në Prishtinë.

Në këtë aktivitet të veçantë, organizuar nga ambasada e Shqipërisë në Prishtinë në bashkëpunim me Bashkinë e Sarandës, u promovua midhja e Liqenit të Butrintit, prodhimet e bulmetit,  verës dhe rakisë,  bimë mjekuese,  vaji i ullirit dhe ulliri. Edhe agrumet nuk munguan në këto panaire që u mbajtën në pesë markete të mëdha në kryeqendrën e Kosovës.  

Për rëndësinë dhe vlerën e produkteve nga Saranda foli ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, i cili tha se ky promovim do të jetë një shtytës i zhvillimit të dy ekonomive shqiptare, ngase sipas tij, prodhuesit me këmbimin e kontakteve me biznesmenë të shumtë do të shtojnë cilësinë e prodhimeve dhe veprimtarinë e sipërmarrjes.

Minxhozi: Panairi ka një vlerë të dy anshme

“Është tepër e rëndësishme që prodhuesit të takohen me shitësit për ta parë mundësinë e shkëmbimit të produkteve si ato që vijnë nga Saranda dhe nga këtu që mund të dërgohen në Sarandë. Është tepër e rëndësishme, sepse këtu edhe konsumatori jep mendimin e vet. Siç po shikoni janë shumë qytetarë të thjesht që po i shikojnë këto produkte. Kjo ka një vlerë të dy anshme, ka një shkëmbim të informacioneve të dy anshëm dhe pse jo të mos vazhdoi pastaj në ditët në vijim edhe me nënshkrime kontratash që do të jenë me shumë interes”, tha Minxhozi.

Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka, e cila i priu delegacionit të bizneseve tha se duke parë me sytë nga e nesërmja e afërt dhe praktika, për të shtuar bashkëpunimet dhe këmbimet ekonomike, kanë ardhur në Prishtinë për të bërë një prezantim të asaj se çfarë mund të bëhet për të gjetur rrugët e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Koka shpreson se panairi do të jetë një lidhje e rëndësishme për zhvillime të mëtejmë mes dy vendeve.

Koka: Erdhëm të mbushur, por do të ikim prej këtu më të mbushur

“Ne menduam se erdhëm të mbushur, por do të ikim prej këtu më të mbushur. Do të ikim me çështje konkrete që duam t’i shtyjmë për të pasur rezultate falë njerëzve të rëndësishëm që takuam...po kaq njerëz të rëndësishme në këtë zinxhirë edhe të super marketeve ku ne ishim prezent sot, e ku takuam njerëz ku bizneset patën mundësi të shkëmbejnë eksperienca e tyre të marrin kontaktet e drejtpërdrejtë në mënyrë që ky kontakt i yni të jetë i vazhdueshëm”, tha kryetarja Koka.

Ambasadori Minxhozi, i cili ishte ideatori i këtij organizimi, tregon se ishte i domosdoshëm promovimi i produkteve të turizmit, sepse numri i pushuesve nga Kosova në bregdetin e Sarandës po rritet nga viti në vit.

Minxhozi: Një dashuri e madhe që nuk buron vetëm nga deti dhe dielli por nga njerëzit bujarë

“Numri në vit i vizitorëve në përqindje të rritur në krahasim me vitin e kaluar kanë qenë qytetarët nga Kosova. 35 mijë qytetarë nga Kosova kanë vizituar Sarandën me një mesatare ditësh prej tri netësh. Kjo një shifër rekord, një dashuri e madhe që nuk buron vetëm nga deti dhe dielli por nga njerëzit shumë bujar shumë mikpritës të Sarandës”, theksoi ambasadori Minxhozi.

Në vazhdën e aktiviteteve gjatë këtyre dy ditëve, delegacioni nga Saranda, i kryesuar nga kryetarja e Bashkisë, ka takuar edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, zëvendës kryeministrin e  qeverisë së Kosovës, Ramiz Kelmendi, kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Gjatë përfundimit të agjendës së aktiviteteve promovuese të produkteve dhe turizmit, u prezantua edhe dokumentari i  bashkisë së Sarandës, që tregon për pasuritë dhe mrekullitë që ka ky vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat