Kosova një destinacion i ri turistik për turistët polak

Turizëm

Kosova një destinacion i ri turistik për turistët polak

Nga: Izabela Nowek Më: 25 nëntor 2016 Në ora: 10:06
Prishtina

Fillimisht turizmi polak pas rënies së komunizmit u përqendrua në Kroaci si destinacioni më i frekuentuar për tu spostuar më vonë në Mal të Zi. Gjithashtu, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina, kanë pasur një rritje të ndjeshme. Duket se një nga vendet e fundit edhe për shkak të rrethanave historike, Kosova është një ndër destinacionet e tanishme që po zbulohet nga vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore. Skepticizmi i shumë polakëve për të vizituar Kosovën lidhet me dezinformimin dhe me friken se  „Oh atje akoma ka luftë” apo të tipit  „Eh madje situata nuk është akoma e mirë”. Por, karshi këtyre stereotipave dhe frikës që ekziston pas udhëtimeve të turistëve individual apo edhe me grupe, vihet re se është vetëm një stereotip. Shumica e tyre kthehen me përshtypjet më të mira për vendin, natyrën, mikpritjen ushqimin dhe mbi të gjitha diversitetin edhe misterin e zbulimit të një vendi të ri.

Destinacionet kryesore qoftë për faktin e lidhjes së komunikacionit, Rruga e Kombit edhe Merdari, bëjnë që Prishtina dhe Prizreni të jenë dy pikat kryesore ku këta turistë ndalohen pikësëpari. Prishtina për ata nuk ofron shumë për sa i përket pikëpamjes arkitektonike, por le përshtypje të mirë për faktin se siç tregojnë ata është një qytet i gjallë, me plot rini, kafene edhe siç e tregojnë, me buzëqeshje si qytet ku shpaloset moda dhe jeta moderne. Prizreni, është një kartolinë ku krahas bukurisë arkitektonike ofron një puzle diversiteti fetar dhe kulturor, ku secili ndalet me foto-kamerën për të shkëputur disa kujtime nga qyteti i gurtë.

Ndoshta është edhe qyteti më komercial-turistik, për faktin se duan apo nuk duan udhërrëfyesit, mbetet unik në rangun e tij. Turistët polak dhe çekë, shumica turistë individual të shtyrë nga kureshtja pasi kanë parë fotografi apo lexuar bllogje udhëtimi për Kosovën, me qëllimin për të zbuluar vende të pazbuluara nga turizmi komercial vizitojnë Malësinë e Sharrit dhe zonën e Rugovës dhe Dukagjinin. Udhëtimi në Kosove për to bëhet akoma me tërheqës për arsyen se shumica e tyre ndërmarrin udhëtime të tipit aventurë, me motoçikleta apo me mjete të tjera që veçohen nga turizmi klasik, çka e bën vendin akoma një destinacion me tërheqës. Kjo kategori turistash qëndron edhe me gjatë në Kosovë dhe kryesisht akomodohet në strukturat hoteliere që vendi ofron. Tashmë ata kanë krijuar edhe trekëndëshin e Alpeve të cilët nisen nga Alpet në zonën e Shqipërisë ose të Malit të Zi, e përfundojnë në Bjeshkët e Nemuna në zonën e Dukagjinit. Turistët klasik apo ata të organizuar në grupe, kryesisht vijnë nga vendet e rajonit si Maqedonia dhe Mali i Zi, thuajse çdo javë të paktën 2 autobus rreth 100-120 persona, vizitojnë Manastirin e Pejës, pohon murgesha që operon në këtë vend kulti.

Turistët e organizuar kanë si target vendet që janë në listën trashëgimore të UNESCO-s, pra vendet me një arkitekturë të pasur, Manastiret dhe gjithashtu Prizrenin. Turistët në grupe të organizuar qëndrojnë me pak në Kosovë, por gjithashtu njihen me kuzhinen dhe amvisët lokal. Ajo që vihet re është nëse bëhet një krahasim me strukturat hoteliere, në Kosovë shërbimi është tejet i mirë dhe me standarde evropiane, çmimet pak më të larta të krahasuara me disa vende të rajonit. Ana tjetër e medaljes siç pohojnë operatorët turistikë të këtyre vendeve është ajo e informacionit. Vihet re në portalet dhe në burime të tjera kibernetike se ka një mungesë të theksuar informacioni qoftë edhe në faqe të thjeshta ku turisti klikon, siç mund të jetë wikipedia, youtube apo portale që shërbejnë si diplomaci kulturore dhe turistike.

Promovimi i vendit në Evropën Lindore dhe Qendrore nga ana institucionale mbetet relativisht i dobët. Një shembull konkret në rajon për të zhdukur stereotipet duke e shndërruar vendin në një destinacion masiv është Kroacia. Kosova duhet me patjetër, këshilloj më me dashamirësi operatorët turistik, të krijojë sa më shumë imazhin e saj edhe nga ana e promovimit, pasi bënë pjesë edhe ajo në atë që quhet Ndërtimi i një Shteti. Një grup turistësh nga Polonia, tregonin me buzëqeshje që kur kishin kërkuar informacione mbi turizmin në Kosovë, kishin gjetur më shumë debate politike mes serbëve dhe shqiptarëve në internet se sa informacione për vendin. Mund të thuhet se Alpet dhe Natyra e Kosovës edhe pse janë aty me shekuj, në zhargonin turistik, për turistët e këtyre vendeve janë një NEW BORN. 

Autorja është Operatore Turistike dhe Bloger Moja Albania

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat