Trendi i turizmit të aventurës

Turizëm

Trendi i turizmit të aventurës

Më: 31 tetor 2017 Në ora: 16:51
Spelologët italian

 Surpriza e verës, surpriza e vjeshtës, surpriza e turizmit shqiptar këtë vit është prezantuar dhe turizmi spelologjik.

Shqipëria si një vend përgjithësisht malor, ka dhe shumë shpella që ende mbeten të pa eksploruara. Shumë të tilla gjenden në zonën veriore të vendit, në Nikaj-Mërtur, Theth, Shalë, Shpatet e Liqenit të Komanit, Pukë etj.

Kolori vjeshtak mbi të gjitha koloret, ka zbritur dhe në brigjet e Liqenit të Komanit në vendderdhjen e Lumit të Shalës. Bashkë me të, në këto shpate ka zbritur dhe një grup spelologësh italian për të parë nga afër mrekullitë natyrore të maleve tona por në veçanti të shpellave që fshihen në këto lartësi.

Image

Aty gjenden disa shpella, por është  një e pa eksploruar plotësisht, që tërheq mjaft kurioz e eksplorator, që tentojnë të zbresin në thellësitë e saj, por është e vështirë. Spelologët italianë, u shoqëruan nga kolegu i tyre shqiptar dhe njohës i mirë i këtyre anëve Ndoc Mulaj.

Ai i udhëhoqi dhe i njohu me vlerat turistike të zonës, me mikpritjen shoshjane, me natyrën, me kulturën dhe zakonet e maleve.

Ata, u akomoduan në vendin e quajtur ” Blini i Gurit të Lekës”.  Ky vend i  bukur malor, ndodhet në vendpjekjen e Lumit të Shalës me Liqenin e Komanit, në prehrin e Komlemit, karshi Mollës së Shoshit me plot histori, e cila lidhet me princin tonë Lekë Dukagjini.

Eksploratorët Italian u pritën dhe u shoqëruan në guidat e tyre nga udhërrëfyes vendas në njohjen e shpellave dhe të historisë, të gojëdhënave dhe të miteve malësore.

Image

Thuhet se  Lekë Dukagjini, vitet e fundit të jetës i kaloj në këtë vend, përballë i mbrojtur nga humnerat shkëmbore që zbresin thikë deri ne Drin dhe nga pas shpine nga mbrojtja besnike e banorëve të Dukagjinit.

Emrin “Komlem” thuhet se e mori kur rrethimi i ushtrisë turke zgjati aq shumë sa atje lartë midis atyre shkëmbinjve lindën 72 djem.

Përballë Komlemit, nga ana tjetër e lumit, ndodhet një shkëmb i cili mban emrin “Curri i Haxhi Begut ” nga ku ushtria turke, thonë, që gjuante me top malësorët e ngujuar aty, në Komlem bashkë me princin.

Një natë, Leka, ju thotë ushtarëve, që të hedhin vozgat me raki në shkëmb duke ju vënë flakën. Vargu i flakës zgjatej deri poshtë në Drin dhe turqit e lëshuan rrethimin duke menduar se ishte barut dhe se këta paskan aq shumë barut sa edhe ta djegin në humnerë.

Image

Vetëm kur arrin aty te Guri, e kupton se pse i thonë Guri i Lekës, sepse pasi je ngjitur mbi të dhe ke hedhur vështrimin rreth e rrotull, kupton se ai është një vend strategjik vrojtimi.

Nga maja e këtij guri, mund të “krehësh” të gjithë zonën në një hark prej rreth 300 gradë.

Pra, Leka, nga ky gur ka pikasur çdo lëvizje të armikut dhe kujtdo që ka tentuar ti afrohet.

Disa qindra metra afër Gurit, ndodhet Shpella e Lekës, një shpellë me një hyrje jo shumë të madhe por që pas rreth 20 m zmadhohet dhe që vazhdon pikjat poshtë në drejtim të lumit.

Image

Sipas gojëdhënave thuhet se Leka kishte lënë amanet që pas vdekjes trupi i tij të hidhej në këtë shpellë, në mënyre që të mos i gjendej nga  pushtuesit turq, kjo duke patur edhe parasysh se çfarë ata bënë me varrin dhe eshtrat e Prijësit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Historia jonë, por as arkivat e ndryshme nuk dokumentojnë për vendin ku Lekë Dukagjini kaloj vitet e fundit të jetës, për kohën e vdekjes apo për vendvarrimin e tij.

Duke u mbështetur në  gojëdhënat, blini është posaçërisht vendi ku Leka kaloj vitet e fundit të jetës së tij.
Udhëtimi drejt Blinit paraqet surpriza të pafundme pasi ka atraksione të shumta turistike përveç atyre që paraqet liqeni i Komanit, lumi me troftën pikaloshe, shpend dhe kafshë të ndryshme, nga çdo anë mund të shihen në faqet shkëmbore edhe  dhitë e egra nëse atje kalohet pa zhurmë.

Komlemi, Bira e Topit, Guri i Lekës, Shpella e Lekës, Ballkoni i Dhive të Egra, Ujvara e Mullinit dhe vende të tjera tepër piktoreske.

Image

Njerëzit e këtyre  vendeve të bukura dhe historike, kanë ndërtuar një Hotel-Bar-Restorant në breg të lumit, një ndertim i bukur duke ruajtur edhe traditën e ndertimit me gur e dru,ku vizitorët çlodhen e mësojnë historinë.

Spelologët italian, të surprizuar nga natyra, historia dhe gojëdhëna që lidhet me “Blinin e Gurit të Lekës”, largohen duke e quajtur këtë vend si surpriza e turizmit shqiptar.

Grupi italian i spelologëve, mbetën të impresionuar nga mrekullia e Alpeve Shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat